Kosova dhe Shqipëria vitin e ardhshëm pa tarifa doganore

Kryeministri i Shqipërisë, në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin e Kosovës, tha se në pikat kufitare do të mjaftojë vetëm një dokument prej njërës palë për bashkëpunimin tregtar-ekonomik

Në gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të ketë barriera tarifore dhe jo tarifore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, u dakordua në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së të dy vendeve. Dy qeveritë sot nënshkruan nëntë marrëveshje mbi bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të ndryshme nga dogana, shëndetësia dhe ekonomia e deri te bashkëpunimi i të rinjve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së përbashkët qeveriare, tha se në pikat kufitare do të mjaftojë vetëm një dokument prej njërës palë për bashkëpunimin tregtar-ekonomik. Ai vlerësoi se bëhet fjalë për një hap të madh dhe të shkëlqyeshëm.

“Kushdo që shikon bashkëpunimin e Kosovës dhe Shqipërisë me sytë e së kaluarës, ftohet të shikojë me sytë e së ardhmes. E ardhmja është të mos ketë barriera tarifore dhe jo tarifore, dhe këtu vjen momenti që ka shkaktuar shumë debate dhe që lidhet me tarifën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, e cila e përsëris nuk është një veprim ekonomik, por një reagim i qartë politik dhe një ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe për të kuptuar se rruga e të ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve”, tha Rama.

Ai kujtoi se pengimi i fundit i Kosovës për të hyrë në Interpol, është krejtësisht i papranueshëm.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se Kosova do të ketë pikën e saj të tranzitit në Portin e Durrësit nga 1 janari i vitit 2019, do të hiqet roamingu mes dy vendeve, dhe se kalimi kufitar i Morinës do të jetë kontroll i përbashkët për të siguruar lirinë e lëvizjes. Rama theksoi se shqiptarët e Kosovës mbeten pengje të BE-së dhe se vazhdimisht shtyjnë vendimin për liberalizimin e vizave, ndonëse kërkesa kryesore ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është përmbushur, ndërsa nga ana tjetër Serbia nuk e ka njohur Kosovën në negociatat e saj të anëtarësimit.

“Serbia nuk mund të ketë një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, ndërkohë që Serbia pengon çdo lloj malli të hyjë nga Kosova në Serbi, ndërsa vazhdon të pretendon të hyjë në Kosovë me dokumente Kosova dhe Metohia. Metohinë ta mbajnë për vete, kjo është Republika e Kosovës dhe kjo është diçka që nuk negociohet dhe nuk diskutohet më”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria dëshiron që serbët dhe shqiptarët të ecin së bashku në të ardhmen, por bashkëpunimi me Serbinë duhet të jetë reciprok. Rama tha se megjithëse tarifa 100 për qind në importin e mallrave nga Serbia është iracionale, Shqipëria i mbështet këto masa me 100 për qind.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për idenë e një korrigjimi të mundshëm të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se që nga fillimi i qëndrimit asgjë nuk përjashtohet me qëllim që shqiptarët nuk mund më të ndahen dhe se doemos duhet të jenë së bashku në kuptimin e dy vendeve pa kufij.

Po ashtu ai theksoi se të gjithë ata që presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e quajnë tradhtar për shkak të korrigjimit të kufijve janë “gomarë”. Sipas tij, nevojitet një strategji për të ardhmen e Kosovës në mënyrë që shqiptarët të jenë së bashku dhe që Kosova dhe Shqipëria të jenë një në çdo mënyrë dhe në çdo aspekt.

Kryeministri i Kosovës Haradinaj përsëriti qëndrimin e tij kundër ndarjes së Kosovës.

“Kushdo që mendon të marrë tokë nga Kosova gabon, kushdo qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria, as një metër Kosovës më nuk do t’i merret. A është Ramushi, Edi ose Hashim Thaçi apo ndonjë tjetër, gabon seriozisht. Ky është një vend shqiptar ku është derdhur gjak, 17 shkurti nuk preket më”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova në këto kufij është pranuar edhe nga Shqipëria edhe nga SHBA-të dhe se nuk ka nevojë të flitet më për të. Haradinaj marrëveshjet e sotme i vlerësoi shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht kërkoi nga Rama të përfundojë autostradën kombëtare nëse nga kosovarët kërkon të paguajnë taksën prej 5 euro, ndërsa Rama theksoi se në paqe patriotizmi duhet të paguajë taksat dhe të përmbushë detyrimet.