Kosova, detyrime deri në vitin 2031 ndaj Bankës Botërore. Borxhet, nga ish-Jugosllavia

Kosova do të paguajë këste kredish për Bankën Botërore deri në vitin 2031. Shuma e pagesës është rreth 19 milionë euro në vit, e lidhet me borxhet e trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë.

Kosova do të paguajë këste kredish për Bankën Botërore deri në vitin 2031. Shuma e pagesës është rreth 19 milionë euro në vit, e lidhet me borxhet e trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vetë, në mënyrë vullnetare, detyrimin që të paguajë borxhin me një vlerë prej 381 milionë eurosh, të trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë.

Bëhet fjalë për disa projekte, që në atë kohë ishin financuar nga Banka Botërore për t’u zbatuar në territorin e Kosovës.

Ndërkohë që, pas shpalljes së pavarësisë, rreth 45 milionë euro janë borxhe të reja, që Kosova ka marrë nga Banka Botërore për financimin e projekteve të ndryshme që nga viti 2010 e në vazhdim.

Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Botërore rreth 16 muaj pas aktit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, në qershor të vitit 2009. Që nga dita e pranimit, në këtë institucion financiar kanë filluar edhe pagesat e rregullta të kredisë.

Çështja e borxhit dhe sesi duhet zgjidhur ky problem është diskutuar edhe në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, në procesin e udhëhequr nga Maarti Ahtisaari në Vjenë të Austrisë.

Sidoqoftë, borxhi publik i Republikës së Kosovës, vit pas viti po shënon rritje. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2017, borxhi i përgjithshëm kishte arritur vlerën e 996 milionë eurove, ose 17 për qind më shumë sesa në vitin 2016./TCh