Koronavirusi në Shqipëri, 1 viktimë dhe 53 raste të reja në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë përsëriti thirrjen për respektimin e masave dhe distancimit fizik.

Shtohen te infektuarit por dhe viktimat nga koronavirusi në Shqipëri. Javën e fundit janë regjistruar thuajse çdo ditë një apo më shumë humbje jete në shërbimin infektiv. Edhe 24 orët e fundit një tjetër pacient, një 70-vjeçare nga Durrësi, nuk i mbijetoi komplikacioneve të renda të COVID-19.  Ndërsa vihet re rritje e shtrimeve në spital edhe nga të prekur të moshave të reja.

“Vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, duke përfshirë dhe moshat e reja 30-40 vjeç. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në 24 orët e fundit një 70 vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, me gjithë mjekimin intensiv dhe përkujdesin e mjekëve. 70-vjeçarja e prekur nga Covid19, vuante nga një formë e rëndë e leukozës”.

53 qytetarë kanë rezultuar pozitiv nga 320 testime të kryera. Tirana mbetet vatra kryesore por dhe burimi i përhapjes në qytete të paprekura më parë, si Pogradeci dhe Përmeti, transmeton A2News.

Ministria e Shëndetësisë përsëriti thirrjen për respektimin e masave dhe distancimit fizik. Ndërsa të moshuarit të shmangin vajtjet në qendrat shëndetësore dhe familjarët vizitat tek të afërmit në spitale. Nga fillimi i epidemisë janë prekur mbi 1800 qytetarë, ndërsa 722 janë të sëmurë aktivë.