Korça në këmbë për Skënderbeun, peticion UEFA-s: Mos na vrisni ëndrrat

Ka qenë bafasuese ajo që ka ndodhur së fundi në Korçës, ku mijëra qytetarë janë derdhur në rrugë për të protestuar kundër një dënimi të mundshëm të Skënderbeut nga ana e UEFA-s. “Mos na e vrisni ëndrrën”, ka qenë parrulla që ka udhëhequr këtë protest, ku kanë marrë pjesë dhe persona VIP nga shoqëria korçare.

“Në kohën kur UEFA kërkon të zgjerojë futbollin në çdo shtet, dënimi i Skënderbeut do të sillte një goditje të rëndë për futbollin në Shqipëri, duke e detyruar padrejtësisht që gjithçka të rinisë nga e para. Futbolli shqiptar falë mbështetjes së UEFA-s po i afrohet standardeve më të mira europiane, Skënderbeu në gjithë këtë histori nuk është lakuar, por është skuadra që ka zbatuar pikë për pikë çdo rregull, duke krijuar një frymë pune vizionare, që shikon te ndershmëria sportive kushtin për të triumfuar në sport. Skënderbeu për Korçën është gjithçka, ndaj dhe ne sot kërkojmë drejtësi, vlerësim të djersës së derdhur ndershmërisht në fushë nga lojtarët në vite dhe jo dënim! Skënderbeu nuk iu përket vetëm korçarëve, por është skuadra e gjithë shqiptarëve. Në asnjë rast, në gjithë historinë e skuadrës, nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me lojën e pandershme. Na ndihmoni të ecim përpara në këtë rrugë europiane! Na jepni të drejtën dhe drejtësinë!”, thuhet ndër të tjera në një peticion të hartuar nga qytetarët korcarë.

Ata i thonë UEFA-s se qyteti vitet e fundit rron me futbollin, dhe se ata e duan ndershmërinë në fushë.

Në Korçë të gjithë kanë besuar dhe besojnë te loja e ndershme e kësaj skuadre, e cila ka fituar 6 kampionate kombëtare dhe ka marrë pjesë 2 herë në grupet e Europa League. Kemi nevojë për mbështetje dhe jo për një dënim, pasi ky do të ishte dënim jo vetëm i të gjithë futbollit shqiptar, por i çdo tifozi dhe të apasionuari pas futbollit, që vlerëson ndershmërinë e futbollistëve, që japin shpirtin në fushën e blertë. Nëse ndiqet rruga e dënimit të pamerituar e të mbështetur mbi spekullime, ka për t’u ndëshkuar një qytet i tërë, një histori krenarie e futbollit shqiptar në vitet e fundit”, thuhet në peticion.

UEFA po shqyrton mundësinë e ndëshkimit të skuadrës korçare, pasi dyshohet si e përfshirë në trukime ndeshjessh vitet e fundit ku ka fituar jo pak trofe dhe është ngjitur në majat e fuitbollit shqiptar.