Konservatorët postmodernë

Nga Redi Shehu

Në një realitet të ri krejt postmodern, në një realitet të ri të marrëdhënieve demografike në botë si dhe sjelljeve sociale të diktuara nga institucionet dhe mekanizmat e rendit liberal, konservatorizmi si bindje dhe praktikë shpesh ka gjetur ngushëllimin e vet në nostalgjinë që i vjen nga historia. Nëse në mënyrë të veçantë faktorët socialë në epokën tonë, çuan në lindjen e postmodernizmit, i cili ndikoi në zhvendosjen thelbësore të mendimit intelektual konservator nga bazamentet tradicionale të tij,  presioni stërmadh i ndikuar nga ingranazhi gjigant i mendimit liberal ka modifikuar fuqinë e këtij mendimi në raport me bazamentet e veta. Me pak fjalë, mendimi konservator ka qenë  përherë në një gjendje të vazhdueshme sforcimi për t’i bërë ballë këtij presioni ndaj të vërtetës objektive dhe narrativës thelbësore për jetën.

Megjithë këtë rrezistencë, mendimi konservator në përplasjen e tij me postmodernizmin, filloi të zhvendosej nga shtrati i tij i ndikuar veçanërisht nga fuqia joshëse e kapitalit dhe e teknologjive moderne. Kjo, e bëri atë që në artikulim të ruante shprehitë dhe terminologjinë e së shkuarës, ndërsa në praktikë t’i përshtatej konteksteve sociale. Nga njëra anë thelbi ideologjik i tij shpërfaqej në referencat artikuluese historike, ndërsa nga ana tjetër praktikat  dhe përzgjedhjet në përditshmërinë e vet politike, i ngjanin atyre të kundërshtarëve të vet. Ky identitet sipërfaqësor, është pikërisht elementi kryesor i ngjashmërisë mes postmodernizmit dhe konservatorizmit postmodern të cilin Peter Augustine Lawler si një ndër përfaqsuesit e brezit të fundit të mendimtarëve konservatorë, mjeshtërisht e përcaktoi si term. Ai thotë se pika ku postmodernizmi dhe konservatorizmi postmodern takohen, është  pikërisht tek mohimi i të vërtetës objektive dhe zakonore, duke anuar gjithmonë e më shumë drejt subjektivizmit.

E njëjta gjë ndodh me qasjen e konservatorizmit postmodern në politikë, i cili nuk gjen dot më një të vërtetë objektive që të mund të shërbejë si kriter, si një reference për të shkoqitur “të vërtetat” e pafundme të politikës moderne, e cila ndiqet nga fakte që rrëzojnë fakte në mënyrë të njëpasnjëshme, pa u ndalur në një cak moral, ndërkohë, që e vërteta shpesh reklamohet si “fake news”. Kështu, në një pozicion dyjar, konservatori postmodern nga njëra anë mundohet t’i qëndrojë besnik identitetit konseravator të tij, por nga ana tjetër sorollatet mes të “vërtetës” subjektive të aksionit politik. 

Zëvendësimi i figurave të vjetra konservatore në politikën botërore për shkak të kalimit të kohës politike, me figura të reja të cilët anojnë më shumë nga relativizimi dhe konceptet e mangëta rreth idesë së të vërtetës universale, si dhe rënies pre’ të tyre ndaj kapitalit dhe mekanizmave teknologjikë në funksion të PR-it dhe pushtetit, i ka bërë këta të fundit të kenë më sukses në terma financiarë apo në terma të marrëdhënieve me publikun. I ka bërë ata më të suksesshëm nga ana sipërfaqësore, por ama, nga krahu tjetër, e gjithë kjo energji pas pushtetit politik, ka bërë që ata të ndryshojnë esencën the formën e politikës konservatore sot, duke rritur gjithnjë e më shumë besimin në “identitetin politik” si i vetmi dhe superiori  i cili qëndron mbi identitetet  kulturore, tradicionale, historike dhe fetare. Kjo është forma më flagrante e marrjes peng të konservatorizmit në funksion të agjendave politike nga intelektualë të postmodernizmit të cilët na bëjmë të kuptojmë se pse sot konservatorizmi postmodern është më shumë familjar me konceptet e së majtës që e sheh subjektivizmin si qëndrën e vlefshmërisë morale. Sot, si konservatori postmodern, ashtu edhe liberali i majtë, kanë shqetësimin e tyre kryesor, kapjen me çdo kusht pas identitetit politik me qëllim final pushtetin.

Në këtë gjëndje të sotme, përballë presionit postmodern mbi individin, përgjigjia gjendet në formulimin e Michael Oakshott-it, në esenë e tij të famshme “Rationalism in Politics and Other Essays”, i cili thotë se duhet të zgjedhim familjaritetin ndaj perfeksionit, të provuarën ndaj të paprovuarës, aktualen ndaj të mundshmes, stabilitetin ndaj përmirësimit, si dhe një gabim të pranuar si më superior ndaj një të vërtete kontraverse.

Në Shqipëri, çështja kthehet akoma më e thjeshtë, për faktin se ideologjia është shqetësimi më i fundit i klasës politike. Identiteti politik është mjeti më i rëndomtë i cili përdoret prej tyre për të kamufluar origjinën e njëjtë të tyren. Diskursi politik është absolutisht brënda mjedisit postmodern, i individualizuar, i rëndomtë dhe krejt pa estetikë politike. E djathta, e cila pretendon të përfaqësojë konservatorizmin shqiptar, është në një luftë brënda llojit rreth faktit se kush prej palëve në konflikt do e mbajë peng më mirë këtë ideologji. 

Nëse në botë konservatorizmi po vuan nga intelektualë të postmodernizmit të cilët me veprimet e tyre po e tërheqin atë drejt praktikave liberale, në konservatorizmin shqiptar, vuajtja përkthehet në një luftë të brëndëshme për të ikur nga mentaliteti i të majtës ekstreme që e kish mbajtur peng atë prej një kohe të gjatë. Pra, e djathta shqiptare përpiqet të ikë nga kulti dhe mentaliteti komunist me shpresë për të shkuar drejt konservatorizmit postmodern. Një mundim që përsëri do e mbajë të distancuar atë nga e djathta burimore, një mundim drejt një identiteti politik ndoshta të çliruar nga majtizmi ekstrem, por që përsëri do të jetë peng i intelektualëvë të postmodernitetit. 

Luftë brënda llojit jo për të përmirësuar të djathtën, por për të ndërruar pengmarrësit dhe natyrën e pengmarrjes. Luftë e cila në princip nuk zhvillohet për t’i treguar gjithë shoqërisë shqiptare të dërrmuar nga vala shkatërruese anti moral dhe kundra të vërtetës objektive, se çfarë duhet të konservojë, cila është tradita e kësaj shoqërie dhe cila është natyra e saj morale. Individi shqiptar përsëri do të ndodhet pa një alternativë të qartë nga e cila ai do të duhej të kishte një qëndrim të kulluar brënda një dimensioni politik, i cili të ishte në përputhje me identitetin e tij kulturor, tradicional, historik dhe fetar.