Komisionerja e BE-së takon Gjonaj: Mbështetje krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë

Takimi është mbajtur në përfundim të Ministerialit dyditor Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që u zhvillua në Tiranë.

Ecuria e Shkollës së Magjistraturës, si baza e formimit të magjistratëve të rinj, zgjidhja e ngërçit me institucionet e drejtësisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi, ishin çështjet më të ndjeshme për të cilat Komisionerja e BE-së, Vera Jourova është interesuar gjatë një takimi me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Takimi është mbajtur në përfundim të Ministerialit dyditor Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që u zhvillua në Tiranë.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi, ecuria e procesit te vetting-ut dhe ngritja e institucioneve të reja ka qenë tema kryesore e takimit dypalësh, në të cilin merrnin pjesë edhe Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe Ambasadori i Delegacionit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Komisionerja Jourova, është interesuar në veçanti për procesin e vetingut dhe ka shprehur mbështetjen e saj të dhe të Komisionit Europian për çdo nevojë që do të ndihmonte në zbatimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Ministrja Gjonaj theksoi se pavarësisht mungesës së konsensusit nga ana e opozitës në Parlament, lista prioritare e vetingut po përfundon dhe kjo do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP, të cilat do të miratojnë kuotat e reja për shkollën e Magjistraturës duke i dhënë kështu zgjidhje ngërçit të krijuar.

Ministrja e Drejtësisë i tha eurokomisioneres se Reforma ne Drejtësi ka pasur impakt të jashtëzakonshëm dhe si asnjë proces tjetër më parë është përqafuar gjerësisht në publik duke marrë mbështetje të plotë./ATSH