Kolonët hebrenj të ekstremit të djathtë sot herët bastisën oborrin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu.
Policia izraelite i mbrojti kolonët hebrenj gjatë bastisjes.
Policia filloi të vendosej rreth faltores Al-Qibli dhe nuk i lejoi palestinezët brenda të dilnin jashtë.
Më vonë ata filluan t’i vendosin kolonët hebrenj në Xhaminë Al-Aksa nën masa të forta sigurie.
Më herët, policia izraelite nuk i ka lejuar të rinjtë palestinezë të hyjnë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa për faljen e namazit të sabahut.
Palestinezët, të cilët nuk u lejuan të hynin, kryen namazin rreth xhamisë.
Tensionet u përshkallëzuan në territoret palestineze pasi forcat izraelite sulmuan kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor dhe larguan me forcë besimtarët të martën dhe të mërkurën.
Sulmet izraelite në xhami nxitën hedhjen e raketave nga Rripi i Gazës dhe Libani, kurse Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.