Knut Fleckenstein: Shqipëria duhet të jetë krenare për reformën shumë ambicioze të drejtësisë

“Shqipëria duhet të jetë krenare për reformën shumë ambicioze të drejtësisë që po zhvillohet”.

“Shqipëria duhet të jetë krenare për reformën shumë ambicioze të drejtësisë që po zhvillohet”.

Kështu u shpreh Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”.

“Por kjo është një maratonë, jo një sprint. Vetingu është thelbësor për të krijuar besim në këto institucione dhe sundimin e ligjit. Në fund të fundit, prova përfundimtare e një reforme të suksesshme duhet të jetë në rezultatet e arritura në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të efektshme dhe dënimet për krimin e organizuar”, tha ai.

Fakti që tashmë ka pasur disa shkarkime dhe dorëheqje vullnetare, sipas Fleckenstein,  tregon se Vetingu po funksionon.

“Megjithatë, është për të ardhur keq që nuk ka pasur një marrëveshje ndërmjet partive politike për ndryshimet e nevojshme ligjore për rekrutimin dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, me një kapacitet më të lartë në shkollën e magjistratëve. Kjo është absolutisht e nevojshme për funksionimin e institucioneve. Shpresojmë se kjo do të bëhet së shpejti”, shtoi ai.

Sa i përket datës së përcaktuar nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, Fleckenstein shprehet se do të dëshironte që ajo datë të ishte më afër.

“Unë besoj plotësisht se Shqipëria e meriton këtë në dritën e përpjekjeve që janë bërë në vend. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se tani ekziston një rrugë e qartë për hapjen e negociatave me një afat kohor transparent dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se puna përgatitore për negociatat, i ashtuquajturi ‘screening’, tashmë është duke u zhvilluar. Ky proces do të duhej të ndodhte gjithsesi, edhe nëse vendimi para verës do të ishte ndryshe”, u shpreh raporteri i PE-së.

Ai i bëri thirrje opozitës dhe maxhorancës në Shqipëri të gjejnë gjuhën e dialogut.

“Dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës janë shumë të rëndësishme për përparimin në reforma dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve të zakonshëm”, tha ai.