KLGJ drejt finalizimit, 6 prej kandidatëve të nevojshëm kalojnë me sukses vettingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka hapur ditën e djeshme rrugën ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka hapur ditën e djeshme rrugën ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pavarësisht sulmeve politike në adresë të reformës në drejtësi, po jepen sinjale se në vjeshtë organet e reja të drejtësisë do të jenë gati. Këshilli i Lartë gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të kenë secili nga 11 anëtarë, ku 5 për secilin nga këto dy organe i ka zgjedhur Kuvendi. Ndërsa mungojnë vetëm 12 emrat që do të përfaqësojnë gjykatat dhe prokuroritë. Sipas ligjit, 6 anëtarët e KLGJ-së i zgjedh Konferenca Gjyqësore, ndërsa 6 anëtarët e mbetur të KLP-së, Këshilli i Prokurorisë. Ndërkohë që ditën e djeshme ka kaluar me sukses procesin e vetingutgjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli, i cili është njëherësh kandidat për KLGJ, duke bërë që 6 emrat e nevojshëm për këtë organ, të jenë disponibël. Kjo do të thotë që nuk ka asnjë shans që ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor të bllokohet. Nga ana tjetër, situata premtuese duket edhe tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi deri më tani kanë kaluar me sukses procesin e vetingut 4 nga 6 kandidatët e nevojshëm. Ndërkohë që janë edhe shumë prokurorë që pritet t’i nënshtrohen vetingut, ku mes tyre ka emra me integrim që pritet ta kalojnë këtë proces, duke bërë që edhe për KLP, gjashtë kandidatët e nevojshëm të jenë gati. Ç’ka do të thotë se në shtator me shumë gjasa do të bëhet realitet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ja çfarë sjellin KLGJ e KLP

Ngritja e KLP-së dhe KLGJ-së i hap rrugë edhe SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ligjit, këto dy organe ngrihen dy muaj pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gazeta ka bërë një përllogaritje dhe SPAK dhe BKH me shumë gjasa do të jenë gati në fund të muajit nëntor ose në fillimi të muajit dhjetor, kohë kjo në të cilën pritet të nisë fuqishëm lufta anti-korrupsion. Megjithatë, ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor çon automatikisht edhe në shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së drejtuar nga Ilir Meta. Edhe pse aludohej se KLD do mbijetonte edhe për pak kohë, me ngritjen e KLGJ, ky institucion është i sigurtë që zhduket, raporton Sot.

KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Faqolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi ditën e djeshme në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli. Ai ishte i pranishëm së bashku me avokatin e tij në seancën e Komisionit, kur iu komunikua vendimi nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Genta Tafa. Gjyqtari Faqolli arriti të kalojë me sukses vetingun edhe pse në seancën dëgjimore, KPK konstatonte se DSIK ka paraqitur një raport i cili konstaton papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. Madje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se gjyqtari nuk kishte deklaruar 2 llogari bankare të bashkëshortes, ndërsa gjithashtu kishte shkelur ligjin duke e plotësuar deklarimin e tij me lekë të vjetra. “KPK konstatoi mospërputhje mes deklaratës në veting dhe asaj të vitit 2006 lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 83 metra katrorë në Tiranë, porositur për 42 mijë euro dhe blerë në 2015”, deklaroi KPK. Megjithatë, pritet zbardhja e vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të parë argumentimin e kësaj vendimmarrjeje.