Qeveria kineze ka kritikuar ashpër BE-në për rritjen e lartë të tarifave mbi makinat e saj elektrike. Komisioni Evropian e njoftoi rritjen një ditë më parë, nga 10 për qind që është tarifa aktuale në 38 për qind.
Zyrtarë të ekzekutivit në Pekin e kanë etiketuar lëvizjen një “vendim të gabuar” që mund të çojë në një luftë tregtare.
“Ajo jo vetëm dëmton interesat dhe të drejtat legjitime të industrisë automobilistike kineze, por dëmton edhe bashkëpunimin ekonomik mes Kinës dhe Evropës. Gjithashtu, ajo do të çorodisë industrinë globale të automjeteve dhe zinxhirët e furnizimit, përfshirë ata të BE-së. Ky është një akt i pastër proteksionizmi”, tha He Yadong, zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë, Kinë.
Pekini zyrtar është zotuar se do të reagojë ndaj tarifave shtesë, që kanë shqetësuar prodhuesit evropianë të konjakut, proshutës dhe parfumeve.
“Ne duhet të mbrojmë interesat tona, që janë të drejtat legjitime të industrisë së automjeteve elektrike kineze. Për këtë do të marrim masat e nevojshme”, u shpreh Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Makinat elektrike janë vetëm një pjesë e vogël e një përplasjeje të madhe mes BE-së dhe Kinës. Brukseli thotë se mbështetja shtetërore që Pekini ka dhënë për teknologjinë e gjelbër dëmton prodhimin evropian të automjeteve. Tarifat e reja pritet të balancojnë fushën e veprimit.