Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka reaguar nëpërmjet një komunikate pas bllokadës së sotme në rrugën Mitrovicë-Skenderaj duke thënë se siguria e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është e garantuar.
Në një komunikatë nga KFOR-i thuhet: “Në lidhje me situatën aktuale në Kosovë, KFOR-i po punon në koordinim me institucionet në Kosovë dhe Policinë e Kosovës për të siguruar sigurinë e presidentit të Serbisë. Askush nuk e kërcënon Vuçiçin dhe siguria e tij është e garantuar”.
Lidhur me protestën përgjatë rrugës për në Banjë, KFOR-i njofton se është në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës për të hequr bllokadën dhe për të rivendosur lirinë e lëvizjes.
Presidenti i Serbisë Vuçiç sot, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, mori pjesë në dorëzimin e donacioneve në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut dhe Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë. Pastaj vizitoi vendin e projektit të vendbanimit “Lugina e Diellit” në komunën e Zveçanit.
Ndërsa në sheshin “Shumadija” në pjesën veriore të Mitrovicës është paraparë të mbajë fjalimin kryesor. Aktualisht në Mitrovicë është qetë dhe po bëhen përgatitjet e fundit për fjalimin e Vuçiçit./AA