Këto janë qytetet më të mira për të jetuar

Për të dytin vit radhazi, Vjena shpallet si qyteti më i mirë në botë për të jetuar, shkruan A2News. Kryeqyteti austriak mbetet i palëvizur në shkallën më të lartë të podiumit në klasifikimin vjetor të “Economist Intelligence Unit” (EIU).

Ai lë pas Melburnin, Sidnein dhe Kalgari. Europa përfaqësohet me 8 vende në top-20-tëshe, por mes 10 vendeve kryesore, përveç Vjenës ka vetëm Kopenhagenin, që renditet i nënti.

Klasfikimi merr në konsideratë 140 qytete dhe i radhit mbi bazën e një shkalle prej 100 pikësh, lidhur me 30 faktorë, si për shembull standardi i jetesës, stabiliteti politik dhe social, kultura, niveli i kriminalitetit, transporti apo aksesi ndaj trajtimeve shëndetësore.

Vjena ka siguruar 99,1 pikë nga 100 të mundshme. Për t’u vënë re rënia e ndjeshme e Parisit në klasifikim, i cili pozicionohet në vend të 25-të pas protestave të “Jelekëve të Verdhë”. Asnjë qytet italian në pjesën e sipërme të listës, ndërsa Londra dhe Nju Jorku zbresin në vend të 48 dhe 58, duke paguar faturën e mungesës së sigurisë.

Për herë të parë, mes të dhënave të marra në konsideratë është edhe klima. Nju Delhi dhe Kajro renditen nga fundi, pikërisht për temperaturat mesatare të padurueshme.