Këshilltari ekonomik i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, Kevin Hassett deklaroi se Kina mund të përjashtohet nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), transmeton Anadolu Agency (AA).
Hasett në një deklaratë për BBC-në, tha se Kina përkundër asaj që është anëtare e OBT-së nuk po vepron konform rregullave të kësaj organizate. Sipas tij, në të ardhmen Kina mund të përjashtohet nga organizata.
Ai tha se strategjia për tregti ndërkombëtare e presidentit amerikan Trump po funksionon. Hassett tha se taksat shtesë të vendosura nga qeveria amerikane ndaj Kinës janë dizajnuar në mënyrë që të sjellin presion maksimal ndaj Kinës ndërkaq të shkaktojnë dëmin minimal ndaj ekonomisë amerikane.
Sipas Hassett, taksat shtesë doganore të vendosura ndaj Kinës e kanë krijuar këtë ndikim dhe se Kina i është afruar uljes në tryezë. Ai thotë se pritet që liderët e këtyre dy shteteve të zhvillojnë takim frytdhënës në Samitin G20.
Hassett po ashtu theksoi se duhet të interesohet nga afër për shtetet të cilat nuk i respektojnë rregullat e OBT-së. Sipas tij, për shkak të sanksioneve të lehta të organizatës, disa shtete marrin parasysh që të mos i respektojnë këto rregulla.
“Ne më parë asnjëherë nuk menduam se një shtet mund të veprojë siç ka vepruar Kina pasi që të hyjë në OBT. Është një gjë e re për OBT-në një sjellje e tillë kaq e papërshtatshme e një anëtari”, tha ai.
OBT është themeluar në vitin 1995 në Gjenevë, si vazhdim i Marrëveshjes së Përgjithshme Doganore dhe Tregtare e cila ka hyrë në fuqi në vitin 1948.
Organizata ka 164 anëtarë dhe funksionon për realizimin efektiv të tregtisë në mes të shteteve anëtare dhe për parandalimin e praktikave të padrejta tregtare.