Këshilli i Evropës mirëpret referendumin për çështjen e emrit

"Në një situatë të ngjashme në vendin tonë, Gjykata Kushtetuese gjeti zgjidhje për të dalë nga një bllokadë që kishim. Dje u takuam me gjykatësit tuaj Kushtetues", tha Ghiletchi

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) përshendet ratifikimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë të cilës i kanë paraprirë hapa të guximshëm të qeverive të të dyja vendeve, bashkë me një thirrje për procese inkluzive të cilat do të duhet të shoqërojnë zbatimin e saj, deklaruan sot në Shkup bashkëraportuesit e APKE-së për postmonitorimin e dialogut me Maqedoninë, norvegjezja Lise Christoffersen dhe Valeriu Ghiletchi nga Moldavia, raporton Anadolu Agency (AA).

Konstatimet e dy raportuesve të APKE-së, u bënë në një konferencë për media, pas qëndrimit dyditor në Maqedoni ku kanë vlerësuar procesin e reformave si dhe procesin që e shoqëron çështjen e emrit, e cila siç thanë, ka vënë në hije të gjitha çështjet tjera në vend.

“Kjo marrëveshje është vetëm fillimi i një procesi të gjatë i cili mund t’i japë fund një kontesti i cili zgjat për më shumë se 27 vite, dhe si i tillë pengonte zhvillimin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Edhe çështjet identitare të cilat janë përfshirë në marrëveshje, për dekada me radhë nxisnin reagime të ashpra emocionale, të cilat kanë mbetur te një pjesë e shoqërisë”, tha Christoffersen, e cila u bëri thirrje palëve të përfshira të dënojnë retorikën e cila nxit dhunë.

“Njerëzit do të duhet të vendosin vet, prandaj përshëndesim paralajmërimin për mbajtjen e një referendumi këtë vjeshtë, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të caktojnë vizionin që kanë për vendin e tyre”, shtoi më tej Christoffersen, sipas së cilës nevojitet një dialog me partinë opozitare VMRO-DPMNE si parti e vetme parlamentare që kundërshton marrëveshjen me Greqinë.

Valeriu Ghiletchi, nga ana e tij komentoi paralajmërimet e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, se nuk do të nëshkruajë ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë.

Sipas tij, presidenca do të duhet të veprojë në përputhje me kompetencat të cilat ia jep Kushtetuta, dhe në rastin e Maqedonisë, nëse shkaktohet një bllokim i procesit, atëherë palët duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar ndihmë.

“Në një situatë të ngjashme në vendin tonë, Gjykata Kushtetuese gjeti zgjidhje për të dalë nga një bllokadë që kishim. Dje u takuam me gjykatësit tuaj Kushtetues. Mësova se ata janë në dijeni me atë se çfarë veproi Gjykata Kushtetuese e Moldavisë në atë rast”, tha Ghiletchi.

Raporti i plotë i dy raportuesve për situatën e përgjithshme në vend, do të publikohet vitin e ardhshëm.