Këshilli i Evropës do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Turqi

Delegacioni i përbërë prej 22 vëzhguesve nga 20 vende, do të vizitojë Turqinë nga periudhat 27 mars - 1 prill për të monitoruar zgjedhjet lokale që do të mbahen më 31 mars

Një delegacion nga Këshilli i Evropës, nesër do të mbërrijë në Turqi për të vëzhguar zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 31 mars, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të bërë në faqen e internetit të Kongresit të Këshillit të Evropës për Autoritetet Lokale dhe Rajonale, mësohet se delegacioni i përbërë prej 22 vëzhguesve nga 20 vende, do të vizitojë Turqinë nga periudhat 27 mars – 1 prill për të monitoruar zgjedhjet lokale që do të mbahen më 31 mars.

Delegacioni i kryesuar nga Andrew Dawson, fillimisht do të zhvillojë takime me Këshillin e Lartë të Zgjedhjeve (YSK) në Ankara, dhe më 28-29 mars do të kryejë takime me përfaqësues të misioneve diplomatike, zyrtarë shtetëror, organizatave të shoqërisë civile, të medias dhe të partive politike.

Në ditën e zgjedhjeve delegacioni do të ndahet në grupe dhe do të punojë në Ankara, Stamboll, Izmir dhe qytete të tjera për të vëzhguar procedurat e zgjedhjeve në qendrat e votimit.

Kreu i delegacionit, Dawson, do të ndajë vlerësimet e tij paraprake me opinionin publik nëpërmjet një konference shtypi që do të mbajë pas zgjedhjeve më 1 prill në Ankara.