Kërkesat për azil në BE, Norvegji dhe Zvicër rriten me 30% në 2023

Kërkesat për azil të regjistruara në vendet e BE-së, Norvegji dhe Zvicër u rritën me pothuajse 30% gjatë gjysmës së parë të 2023, krahasuar me një vit më parë.

Agjencia e Azilit të BE-së tha se kishte një rritje prej 28% nga viti në vit, shkruan Euronews.

Rreth 519,000 kërkesa për azil u depozituan në këto 29 vende midis janarit dhe fundit të qershorit, tha agjencia, duke vlerësuar se “në trendet aktuale, aplikimet mund të tejkalojnë një milion deri në fund të vitit”.

Aplikimet kryesore erdhën nga sirianë, afganë, venezuelianë, turq dhe kolumbianë, duke zënë 44% të kërkesave në total.

Aplikimet në gjysmën e parë të vitit janë në nivelin më të lartë për këtë periudhë të vitit që nga viti 2015-2016.

Gjatë asaj periudhe, një fluks refugjatësh në Evropë, veçanërisht i shkaktuar nga konflikti në Siri, bëri që kërkesat për azil të arrinin në 1.3 milionë në 2015 dhe 1.2 milionë në 2016.

Këtë vit, deri më tani Gjermania ka marrë më shumë aplikime: 30% të totalit, pothuajse dy herë më shumë se Spanja (17%) dhe Franca (16%).

Agjencia thekson se, si rezultat i kësaj rritjeje, shumë vende evropiane “janë nën presion për të përpunuar aplikimet” dhe se numri i çështjeve në pritje të një vendimi është rritur me 34% krahasuar me vitin 2022.

Rreth 41% e aplikimeve në shkallën e parë kanë marrë përgjigje pozitive.

Përveç kësaj, rreth 4 milionë ukrainas që ikin nga pushtimi rus aktualisht po përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme në BE.