Kërcënimi i Drejtorit të Burgjeve, ministrja Gjonaj: Do mbrohet nga struktura speciale e 41 Bis

Kërcënimi i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, ndonëse nuk u përmend specifikisht me emër, u rikthye sot si çështje nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në takimin që zhvilloi me gazetarët.

Gjonaj theksoi se është krijuar një trupë e posaçme speciale e Policisë së Burgjeve që do të shërbejë në kuadër të regjimit 41 Bis për të dënuarit, e cila do të mbrojë edhe drejtuesit e burgjeve.

“Një pjesë prej jush kanë publikuar raste të kërcënimit të drejtuesve të burgjeve, dhe kjo strukturë speciale do t’i mbrojë. Padyshim edhe Policia e Shtetit duhet të ofrojë mbrojtje”, theksoi Gjonaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, u kërcënua me jetë me anë të një mesazhi në telefonin cellular, nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas projektligjit të publikuar më shumë se dy muaj më parë nga Top Channel, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në 41 Bis, por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli.

Llogaritet që si fillim në 41 Bis të angazhohen 94 efektivë policie. Siç ka shpjeguar më herët gjatë një interviste për Top Channel, Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, çdo punonjës që do të angazhohet në 41 Bis do t’i nënshtrohet vetting-ut.