Kavajë, arrestohen policët. Raporti mjekoligjor: 31 vjeçari u vetëvar me lidhësen e kapuçit

Një 31-vjeçar i identifikuar si Ilvi Meta u gjet i pajetë rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të mërkurës në një prej qelive të komisariatit të Kavajës.

I riu ishte arrestuar me urdhër të gjykatës pasi ishte I dyshuar për vjedhjen e një banese në Kavajë më datën 2 prill.  Forcat e policisë e mbyllën në dhomat e izolimit rreth orës 15.00 dhe katër orë më vonë ai u gjet i pajetë.

Ekspertiza mjekoligjore zbuloi se 31 vjeçari Ilvi Meta nuk është dhunuar por ka ndërruar jetë nga asfiksia. Ai dyshohet se është vetëvarur me rripin e kapuccit të bluzës që kishte veshur. Për këtë shkak janë vënë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës 3 punonjës policie që me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë parandaluar këtë ngjarje.

Në pranga ka rënë nën komisari Betrit Berhamaj  dhe inspektorët Bexhet Beriberi dhe Reshit Kola. Dyshohet se punonjësit e policisë nuk zbatuan procedurat standarte të trajtimit të personave të ndaluar duke e lejuar të mbante rripin me të cilin kreu vetvrasjen.

Ndërsa babai i viktimës nuk e beson versionin e hetimeve paraprake. Sipas tij i biri është vrarë.

Nuk ishte hera e parë që 31 vjeccari përballej me uniformat blu. Ai rezulton I shoqëruar dhjetra herë në polici dhe i dënuar 4 herë për vjedhje.  Mbetet ende mister se pse këtë të mërkurë 31 vjeccari kreu aktin e vetëflijimit.