Katari mbështet popullin palestinez me një ndihmë prej 480 milionë dollarësh

Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, dha direktivën për vënien e 480 milionë dollarëve në dispozicion për të ndihmuar popullin palestinez, që jeton në Gazë nën bllokadë dhe në Bregun Perëndimor nën pushtimin izraelit.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Ministria e Jashtme e Katarit bëhet e ditur se mbështetja vjen nga lidhjet vëllazërore, arabe dhe fetare ndërmjet popujve të Palestinës dhe Katarit.

Gjithashtu bëhet e ditur se këto ndihma bëhen për të plotësuar nevojat themelore si pasojë e kushteve të vështira që imponojnë forcat pushtuese izraelite.

Pjesa prej 300 milionë dollarësh do të vlerësohet si dhuratë dhe kredi për buxhetin e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë së udhëheqjes palestineze, ndërsa një pjesë do të shkojë për nevojat urgjente, raporton TRT.

Ministria e Punëve të Jashtme në deklaratën e saj i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare që të përmbushë përgjegjësitë njerëzore dhe morale dhe të mbështesë popullin palestinez për të kapërcyer krizën në të cilën gjendet.

Nga ana tjetër, kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, bëri një deklaratë me shkrim, ku falënderoi Katarin për mbështetjen e dhënë.