Kastrati Group blen 60% të Euronews Albania

Kastrati Group, grupi më i madh në vend ka hyrë dhe në tregun mediatik, përmes blerjes së 60% të aksioneve të Euronews Albania.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania në një njoftim për shtyp:

“Kastrati Group është bërë sot zyrtarisht pjesë e Intermedia Group me 60 % të aksioneve ndërsa 40 % të aksioneve i mbetet Z. Theodhori Çami. Kompania e njohur për suksesin e saj në investime në fusha të ndryshme e ka shtrirë ambicien e saj dhe në tregun mediatik duke u bërë zotëruese e aksioneve të një prej televizioneve më të suksesshme në Shqipëri.

Intermedia group është një kompani mediatike pjesë e të cilit janë edhe Euronews Albania, Kosova e Maqedonia e Veriut si franchise i parë në historinë e familjes së madhe të Euronews Group, media informative Nr. 1 në Europë.

Me një investim kurajoz dhe të pazakontë në rajon, si në teknologji ashtu edhe në burime njerëzore, Euronews Albania, vetëm në 2 vjet ka arritur të jetë jetë pararojë e një revolucioni mediatik, i shumëkërkuar nga qytetarët dhe investitorët në Shqipëri.

Ky bashkim profesional do të shoqërohet me një plan të ri investimesh, që ka si qëllim të parë, ngritjen dhe zhvillimin me të njëjtën ambicie profesionale edhe për Euronews Kosova dhe Euronews Maqedonia e Veriut, ku do të zgjerohet projekti shqipfolës.

Kastrati Group është një kompani lider në rajon në shumë fusha, kryesisht në atë të energjisë por jo vetëm, me seli bazë në Shqipëri. Kompania e themeluar në fillim të viteve 1990, përmes rrjeti dhe zyrave përfaqësuese është e mirëpozicionuar në të gjithë rajonet më të rëndësishme në mbarë botën.  Nga viti në vit, nga dekada në dekadë, Kastrati Group ka intensifikuar investimet në një sërë sektorësh të tjerë të rëndësishëm, çka e bën atë një nga grupet më të rëndësishme të investitorëve në Shqipëri, rajon dhe më gjerë.

Me këtë lëvizje Kastrati Group synon suksesin dhe si një lider mediatik për trevat shqipfolëse”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Më herët edhe Grupi Balfin, i dyti më i madh në vend hyri në tregun mediatik, përmes blerjes së 100% të aksioneve të televizionit me profil ekonomik, Scan TV.