Karin Kneissl: Shqipëria përmbushi detyrat e saj, meriton hapjen e negociatave

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl u pozicionua dje pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë...

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl u pozicionua dje pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Gjatë një prononcimi të dhënë për mediat e huaja, ajo u shpreh se të dyja shtetet i kanë përmbushur detyrat e tyre lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke theksuar se edhe Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini ka deklaruar në raportin e Komisionit Evropian se vendi ynë e meriton të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të negociojë për integrim në BE, austriakja theksoi se besimi për një lajm pozitiv është shumë i madh.

“Pata një takim mëngjesi me ministrin e jashtëm shqiptar. Unë nuk mund të flas për 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, por çelja e negociatave nuk është një dhuratë për këto dy vende, është çështje logjike. Ne i dhamë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që është emri i ri i vendit, detyra që ato duhet t’i përmbushnin. Në rastin e Maqedonisë së Veriut ne i thamë se duhej zgjidhur çështja e emrit. E njëjta gjë me Shqipërinë në rastin e reformës në drejtësi. Besimi ynë është më i madh se kurrë për këto vende. Komisioni Europian dhe Federica Mogherini kanë mbështetjen e Austrisë në këtë drejtim”, deklaroi ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl.

Edhe kryeministri austriak, Sebastian Kurz theksoi pak kohë më parë gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama se për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Austria ka një qëndrim mbështetës për integrimin evropian.

“Ne sigurisht i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, në përafrimin e tyre në Bashkimin Europian dhe duam që ata të kryejnë reformat e duhura në Ballkanin Perëndimor dhe këto të bëhen hap pas hapi. Ka disa shtete anëtare në Bashkimin Europian që për shkak te situacioneve të tyre të brendshme kanë një qëndrim tjetër, apo një qëndrim kritik të themi, për gjërat, por ne jemi këtu një partner i Shqipërisë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të afrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë evropiane. Kjo është rruga e reformave”, tha Kurz.