Kane shpëton Anglinë, Tunizia kockë e fortë

Kane i kundërpërgjigjet Lukakut, Anglia vuan por mposht Tunizinë

Harry Kane ka mposhtur Tunizinë dhe ato miliona mushkonja në Volgograd Arena të Volgogradit duke shënuar dy golat e fitore së Anglisë ndaj Tunizisë në ndeshjen e cila përfundoi me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje delikate dhe me shumë pengesa për anglezët, por lojtari që ka prekur më pak topa në fushë ishte ai që shënoi dy golat e fitores për anglez.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi anglezëve, të cilët rrezikuan shumë herë, por vetëm një herë gjetën portën, po aq sa edhe tunizianët.

Anglezët rrezikuan me Jesse Lingard, Raheem Sterling e John Stones, por vetëm Harry Kane ishte ai që gjeti portën.

Anglia e nisi menjëherë mirë duke sulmuar me shumë lojtarë dhe duke ushtruar presion mbytës sa herë që humbet topin. Pas disa mundësive të arta të Sterling dhe Lingard, ishte Harry Kane ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 11’. Anglia vazhdoi lojën e mirë por shpërdoroi raste të tjera që mund të kishte mbyllur ndeshjen.

Anglia po dominonte thuajse totalisht në pjesën e parë deri 10 minuta para fundit, kur Kyle Walker shkaktoi një penallti duke goditur me bërryl në zonë sulmuesin tunizian Ben Youssef. Ferjani Sassi goditi saktë nga pika e bardhë për t’i dhënë afrikano-veriorëve barazimin, që erdhi nga hiçi. Edhe pse luajtën sërish lart duke mbajtur nën presion tunizianët, sërish goli i dytë nuk erdhi.

Afrikano-veriorët pësuan dhe një goditje psikologjike kur portieri i talentuar Hassen u detyrua të largohej nga loja pasi u dëmtua në shpatull, por sërish diti të mblidhte veten dhe me kalimin e minutave t’ia vështirësonte punët anglezëve që humbën shkëlqimin e minutave të para. Në fund të pjesës së parë Jesse Lingard pati një rast të artë për të shënuar golin e dytë por goditi vetëm shtyllën.

Edhe në pjesën e dytë Anglia provoi të bënte lojën, por me kalimin e minutave zbeheshin edhe mundësitë për të gjetur rrjetën.

Skuadra e Southgate ka cilësi brenda saj, por shpërqëndrimet e shpeshta bëjnë që të mos gjejë golin aq shumë të kërkuar. Sterling dhe Kane treguan se mund të funksionojnë bashkë, por vetëm deri tek pasimi i fundit, aty ku duhet të tregoheshin më gjakftohtë për të marrë fitoren.

Dhe pikërisht atëherë kur pritej të mbyllej ndeshja, Kane nxori një gol nga hiçi, falë edhe shpërqendrimit të mbrojtjes tuniziane, për t’i dhënë skuadrës së Southgate tri pikët e para në grup.

Pas kësaj fitore, Anglia e barazon Belgjikën në Grupin G me tri pikë, ndërsa Panama dhe Tunizia mbeten pa pikë.