Kane i frikshëm, Anglia shpartallon Panamanë

Kane më i miri i Botërorit, Anglia shkruan historinë ndaj Panamasë...

Anglia ka shkatërruar 6-1 Panamanë, duke e kthyer në një ferr të vërtetë aventurën e parë të skuadrës amerikano-qendrore në Kupën e Botës. Anglezët shënuan pesë gola që në pjesën e parë për të vulosur një nga fitoret më të thella të shënuara në Kupën e Botës.

Gjysmën e golave të “3 Luanëve” e realzoi Harry Kane, i cili kalon kështu në kuptën e pesë golave personal në këtë turne, duke kryesuar listën e golashënuesve, i ndjekur nga Romelu Lukaku dhe Cristiano Ronaldo me nga 4 gola.

Anglia për momentin ndodhet me pikë, dhe golavarazh, të barabartë me Belgjikën.

Kanë mjaftuar 8 minuta që Anglia të gjejë avantazhin. Një krosim fantastik nga Kieran Trippier nga goditja e këndit gjeti të vetëm në zonë mbrojtësin John Stones, i cili ka goditur bukur me kokë për të shënuar golin e parë. 14 minuta më vonë, Anglia dyfishoi rezultatin pasi Harry Kane shënon me penallti golin e tretë personal. Fidel Escobar shkaktoi një faull në zonë duke tërhequr Jesse Lingard dhe gjyqtari egjiptian Grisha Ghead akordoi 11-metërsh.

Dhjetë minuta nga fundi i pjesës së parë Jesse Lingard realizoi një perlë të vërtetë për të çuar rezultatin në 3-0. Lojtari i Manchester United kombinoi bukur me Sterling në krahun e majtë dhe pasi u fut në qendër lëshoi një goditje spektakolare që përfundoi në cepin e majtë të portës panameze.

Katër minuta më vonë, Stones realizoi dopietën e dytë personale për ta çuar rezultatin në 4-0. Qendërmbrojtësi ishte në krahun tjetër të fushës për të dërguar sërish me kokë topin në rrjetë pas një grushtimi të gabuar të portierit panamez. Harry Kane realizon në minutën e fundit golin e dytë personal sërish nga pika e bardhë pasi fitoi vetë një penallti për një ndërhyrje absudrde të mbrojtësit panamez Godoy ndaj tij.

Në pjesën e dytë, ekipi i Gareth Southgate uli nivelin e lojës pasi nuk deshi të lodhen për ndeshjen e ardhshme, teksa të dyja skuadrat shënuan nga një gol.

Një prekje e pavullnetshme e Kane pas goditjes së Loftus Cheek ishte me fat për Anglinë që shënoi dhe golin e 6-të në minutën 62-të ndërsa Baloy në të 78-ën shënoi golin e nderit për Panamanë dhe të parin në një Kupë Bote për përfaqësuesen nga Amerika-Qëndrore. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Anglinë që mori një fitore me shumë peshë.

Në ndeshjen e radhës, Anglia luan ndaj Belgjikës, ku do të vendoset vendi i parë në grup, ndërsa Panama do të ndeshet me Tunizinë.