Kancelari austriak Kurz mbërriti në Maqedoni

Kurz për vizitë në Maqedoni vjen me ftesë të kryeministrit Zoran Zaev, i cili para referendumit ka ftuar edhe disa liderë të tjerë evropianë

Kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili sot qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, në platonë para Qeverisë u prit me një ceremoni solemne nga ana e kryeministrit Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurz për vizitë në Maqedoni vjen me ftesë të kryeministrit Zoran Zaev, i cili para referendumit ka ftuar edhe disa liderë të tjerë evropianë.

Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Zaev në kryeqytetin austriak Vjenë, në fund të muajit qershor të këtij viti, Kurz, vendi i të cilit është kryesues aktual me BE-në, bëri apel deri te qytetarët e Maqedonisë që në referendumin e 30 shtatorit të votojnë për pranimin e Marrëveshjes me Greqinë që e hap rrugën drejt Unionit dhe NATO-s.

Ndryshe, në vigjilje të referendumit i cili duhet të mbahet më 30 shtator të këtij viti, dje në Maqedoni ishin sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut Jean Asselborn, ndërsa nesër në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë, është paralajmëruar edhe vizita e kancelares gjermane Angela Merkel.