Kamatëvonesat e paguara për faturat e energjisë elektrike deri në fund të qershorit arritën në 464 milionë lekë apo 4.6 milionë euro.
Të dhënat e raportuara nga OSHEE Group dhe të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë për pjesën e parë të vitit tregojnë se numri i faturave për të cilat është paguar kamatëvonese arriti në total 2.1 milionë.
Kjo do të thotë se për 1/3 re faturave të lëshuara nga kompania e shpërndarjes është arkëtuar një vlerë shtesë. Në total deri në fund të qershorit OSHEE lëshoi 6.1 milionë fatura me lexim konsumi.
Kamatëvonesat lindin në një faturë në momentin kur fatura e muajit nuk paguhet brenda afatit 30 ditor të muajit pasardhës. Pra nëse fatura është lëshuar për muajin gusht ajo mund të paguhet pa kamatë deri në fund të shtatorit dhe pas kësaj mbi të aplikohet kamatëvonesë e cila rritet progresivisht në kohë.
Në muajin prill të këtij viti OSHEE nisi aplikimin e skemave lehtësuese për detyrimet e mbartura si për familjarët edhe për bizneset që synon nxitjen e këtyre të fundit për të shlyer borxhet.
Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh që janë ende në fuqi janë:
Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.
Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.
Për klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë OSHEE aplikoi pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë ndarë në pesë shkallë.
OSHEE Group miratoi po ashtu skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022.
Klientët, që shprehin vullnetin t’i likuidojnë njëherësh të gjitha detyrimet e prapambetura me 1 (një) këst, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masa të ndryshme, sipas kategorive më poshtë:
Klientët familjarë të të gjitha llojeve përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.