Kalın: Türkiye nuk do të lejojë grupin terrorist PKK ta “bëjë folenë” në veri të Irakut

Zëdhënësi i Presidencës së Türkiyes, Ibrahim Kalın, tha se vendi i tij nuk do të lejojë që grupi terrorist PKK ta “bëjë folenë” në veri të Irakut dhe kështu të shndërrohet në një kërcënim.

Duke folur për Anadolu, Kalın tërhoqi vëmendjen për praninë në rritje të PKK-së terroriste dhe theksoi se Türkiye mbështet plotësisht integritetin territorial dhe unitetin politik të Irakut.

Duke vënë në dukje se Türkiye ka pasur gjithmonë një qëndrim konstruktiv në marrëdhëniet me Irakun, Kalın tha: “Por nëse territori i Irakut bëhet një vend ku organizatat terroriste përdoren për të kërcënuar vendin tonë, ne duhet të ndërmarrim hapa”.

“Ne e dimë se PKK ka një vendosje shumë serioz në Sulaymaniyah,” tha Kalın, duke shtuar se Türkiye nuk do ta shpërfillë këtë.

Duke folur rreth vendimit të fundit të Türkiyes për të mbyllur hapësirën e saj ajrore për fluturimet drejt dhe nga aeroporti në Sulaymaniyah në datat 3 prill – 3 qershor shkaku i aktiviteteve terroriste të PKK-së në rajon, Kalın tha se mund të ketë hapa shtesë në lidhje me këtë.

“Pavarësisht se ku ekziston PKK, ne kurrë nuk do të lejojmë që ajo të bëjë folenë atje dhe të bëhet një kërcënim për vendin tonë”, shtoi ai.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.

Terroristët e PKK-së posedojnë strehimore në Irakun verior përtej kufirit turk, të cilat i përdorin për të komplotuar sulme në Türkiye.