Kadri Veseli replikon Thaçin: Nuk ka mandatar të ri, zgjedhjet të pashmangshme

Veseli ka paralajmëruar shpërndarjen e Kuvendit që të mund të shpallen zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka porositur presidentin Hashim Thaçi se nuk ka mandatar të ri për kryeministër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Veseli ka paralajmëruar shpërndarjen e Kuvendit që të mund të shpallen zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kreu i Kuvendit, Veseli në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se i është përgjigjur presidentit Thaçi, si lideri i PAN-it, se nuk do të ketë mandatar të ri, siç kërkoi nga ai sot zyrtarisht presidenti i vendit.

Ai ka thënë se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme dhe se për të hënën ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të diskutohet për shpërndarjen e Kuvendit.

Siç ka shkruar Veseli, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka për qëllim të saktësojë qëndrimet zyrtare dhe institucionale të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj si dhe të konkretizohen hapat për të caktuar sa më shpejtë datën për zgjedhjet e parakohshme.

“Shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendime legjitime. Në interes të qytetarëve dhe shtetit është shpejtë të fillojmë me legjitimizimin e institucioneve të reja ndërsa kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrugës së zgjedhjeve demokratike”, tha Veseli.

Koalicioni i PAN-it përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Kërkesa e Thaçit për mandatar të ri vjen dy javë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje si kryeministër i Kosovës, për shkak të ftesës për intervistim si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës.