Kadri Veseli: Ndërmarrësia është perspektiva e Kosovës, forcon ushtrinë

Veseli vlerësoi se Kosova ka vetëm një perspektivë, ndërmarrësinë, si dhe prodhimin dhe eksportin, që sipas tij forcojnë ushtrinë dhe patriotizmin, forcon taksat dhe forcon shtetin e pavarur të Kosovës

 E vetmja perspektivë e Kosovës është ndërmarrësia, prodhimi dhe eksporti, deklaroi kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit me krerët e institucioneve dhe shoqatave të fushës ekonomike në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Veseli vlerësoi se Kosova ka vetëm një perspektivë, ndërmarrësinë, si dhe prodhimin dhe eksportin, që sipas tij forcojnë ushtrinë dhe patriotizmin, forcon taksat dhe forcon shtetin e pavarur të Kosovës.

Kryeparlamentari i Kosovës e vlerësoi takimin shumë të frytshëm, pasi janë dhënë premtime për hapa konkrete.

“Javën e ardhshme do t’ju informojmë për mbajtjen e një konference në të cilën Odat Ekonomike do të paraqesin brengat e tyre, problemet burokratike që kanë, për burokratët që kanë guximin të ndalojnë punën në zhvillimin tonë ekonomik. Pse eksportet tona janë aq të vogla, pse kemi papunësi kaq të madhe”, tha Veseli për të shtuar se të gjitha këto çështje do të adresohen qartë dhe publikisht.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, nga ana e tij tha se po bëjnë përpjekje që ligjet të mos jenë pengesë e bizneseve, ndërsa për takimin tha se është thirrur në mënyrë që sektori privat të koordinojë më mirë nismat për ngritjen e çështjeve prioritare për ekonominë e vendit.

“Sot ishte iniciativë e kryetarit t’i përfshijnë të gjithë akterët e sektorit privat dhe gjithmonë duke tentuar që të koordinohemi më mirë me institucione që t’i shtyjmë përpara çështjet prioritare për ligje më të mira. Ligjet e mira e shtyjnë përpara punësimin, eksportin. Ligjet mund të bëhen pengesë e bizneseve dhe këtë pengesë po përpiqemi ta parandalojmë”, tha Rukiqi.

Ndryshe në takim ishin prezentë edhe përfaqësues nga Oda Ekomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Tregtare Kosovaro Turke, Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe shoqatave të tjera nga fusha e ekonomisë.

“Duke ditur rolin e Kuvendit, ajo që është thelbësore për biznesin janë ligjet, sepse ligjet e mira çojnë përpara zhvillimin, prodhimin, eksportin dhe punësimet. Përndryshe, ligjet mund të jenë një pengesë për zhvillimin e vendit, prandaj dhe po përpiqemi t’i eliminojmë në këtë koordinim”, tha Rukiqi.

Siç tha ai, odat ekonomike u zotuan të bëjnë më shumë përpjekje që bizneset të jenë bartës të zhvillimit ekonomik të vendit.