Juventus shpallet kampion i Italisë

Juventus ka përmbysur gjithçka ndaj Fiorentina-s duke u shpallur kampion i Italisë për të tetën herë radhazi.  Të besuarit e Allegri-t kanë fituar 2-1 dhe festa në Allianz Stadium ka filluar tashmë.

Pas disfatës së rëndë në Champions League ku bardhezinjtë u eliminuan nga Ajax në çerekfinale, ata do ta përdorin këtë moment për të harruar zhgënjimin në arenën ndërkombëtare. 

Ishte Milenkovic i miqve ai që shënoi golin e avantazhit në minutat e para të takimit. Pak më vonë Chiesa me pak fat mund të kishte dyfishuar, por tentativa e tij ndalet nga shtylla.

Ishte Alex Sandro ai që barazoi rezultatin në minutën e 37’ me kokë përpara se Chiesa të godiste edhe njëherë tjetër shtyllën.  Pas pushimit ishte autogoli i Pazzella-s ai që i dha fitoren Zonjës së Vjetër. Një arritje e pakrahasueshme e Juventus me titullin e 8-të radhazi.

Embedded video

Starti i sezonit ishte mjaft i vrullshëm për skuadrën e Allegrit, që numëroi plot 8 fitore radhazi, para se të ndalej në barazim pa gola ndaj Genoas, në javën e 9, ndërsa në javën e 18 erdhi barazimi i dytë sezonal dhe për të parë humbjen e parë, duhej të vinte java e 28, ku bardhezinjtë u mposhtën 2-0 sërish nga Genoa.

Kur kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur, Juventusi mbyll kështu thuajse të gjitha “hesapet” sezonale, pasi tashmë synimi i vetëm është që të merret maksimumi i pikëve, për të barazuar rekordin e 102 pikëve, të arritura në titullin e vitit 2013-2014, kur në stol ishte Antonio Conte.