Juventus mposht Milanin dhe fiton Superkupën, CR7 e nis mbarë!

Superkupa vishet bardhezi, sa shumë polemika në finale...

Juventusi vijon dominimin absolut në futbollin italian, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite fitoi edhe Superkupën Italiane të vitit 2018, duke mposhtur në finale Milanin me rezultatin minimal 1-0.

Në fakt bardhezinjtë fituan gjithçka në sezonin e kaluar në Itali, por ashtu siç parashikohet nga rregullorja, pikërisht finalistja e Kupës së Italisë, u përzgjodh edhe për finalen e Superkupës, që sërish shkoi në favor të Juventusit.

Sfida u vendos nga një gol i shënuar nga Cristiano Ronaldo në minutën e 61-të të takimit, me portugezin që shfrytëzoi në mënyrë perfekte një krosim të Pjaniç dhe mposhti Donnarummën me kokë, duke fituar trofeun e parë me skuadrën bardhezi.

Pjesa e dytë filloi me Milanin që pati një mundësi të shkëlqyer për gol. Kutrone përfiton nga një spastrim i gabuari i topit nga Pjaniç. Sulmuesi godet nga brenda zonës së rreptësisë, por topi ndalet nga traversa.

Pak minuta më vonë, Juventusi pretendon për një penallti për një top të prekur me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën. Sfida u zhbllokua në minutën e 61-të. Një harkim i Pjaniç gjen në Ronaldon, i cili devijon topin me kokë dhe mposht Donarumën.

Gatuzo fut në fushë Higuain dhe Borinin, por planet e trajnerit kalabrez prishen krejtësisht nga kartoni i kuq i Kesies. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, kryen një ndërhyrje me takë të ngritur ndaj Emre Çan dhe gjyqtari i takimit detyrohet të nxjerrë kartonin e kuq. Me Milanin e dorëzuar dhe Juventusin e kënaqur me rezultatin, pjesa e mbetur e lojës nuk pati raste për shënim.

Megjithatë një ndërhyrje e Emre Çan ndaj Kontit solli protesta të shumta nga stoli i Milanit që ishin të bindur se iu mohua një penallti e pastër, por arbitri i takimit nuk lejoi përdorimin e sistemit VAR.

Me këtë triumf Juventusi çon në 8 numrin e Superkupave të fituara, nga 13 herë gjithsej kur ka garuar, ndërsa 7 herë e ka fituar edhe Milani këtë trofe, por sot njohu dështimin e katërt në historinë e këtij kompeticioni.