David Alaba po luan sezonin e tij të fundit me fanellën e Bayernit të Mynihut, pasi ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën që i skadon më 30 qershor të 2021-shit dhe se tashmë negociatat janë ndërprerë.
Për mbrojtësin e majtë austriak janë vënë në lëvizje klubet më të mëdha të Europës, të cilat duan të përfitojnë nga fakti se mund të afrojnë me parametra zero, ndërsa sipas mediave italiane, në krye të garës tashmë ndodhet pikërisht Juventusi.
Drejtuesit e klubit bardhezi kanë nisur negociatat prej disa ditësh me menaxherët e Alabës dhe janë shumë pranë një marrëveshjeje, madje kanë treguar gatishmërinë që ta marrin mbrojtësin që në muajin janar kundrejt një shume simbolike.
Marrëdhëniet e drejtuesve torinezë me ata të Bayernit janë mjaft të mira dhe kjo shpjegohet edhe me huazimin e Douglas Costës në Mynih, ndaj Paratici po punon që të afrojë Alabën që në janar kundrejt një shume prej 15-20 milionë eurosh, që do të kënaqte edhe bavarezët, të cilët verën e ardhshme do ta humbnin me parametra zero.
Kjo pasi te Juventusi kanë nevojë sa më shpejt për një mbrojtës të majtë, duke qenë se Alex Sandro ka shfaqur shpesh probleme fizike dhe Frabotta është shumë i ri, ndaj Alaba do të ishte zgjedhja ideale, pasi mund të luajë në krahun e majtë si në rreshtimin me 3 ashtu edhe atë me 4.