Johannes Hahn: Shpresoj që Shqipëria të hapë negociatat në shtator

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Europian, Johannes Hahn tha sot nga Beogradi se pret vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Europian, Johannes Hahn tha sot nga Beogradi se pret vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Hahn zhvilloi një vizitë në Beograd dhe në daljen për mediet, u shpreh me tone mjaft pozitive sa i përket çeljes së negociatave të anëtarësimit në vjeshtë.

Zyrtari i Brukselit, gjatë vizitës në Serbi, solli në vëmendje progresin e bërë nga Tirana dhe Shkupi dhe kërkoi që kjo të shpërblehej nga Unioni.

“Kam shumë besim që vendet anëtare të Bashkimit Europian do të japin dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, tha ai.

“Nuk ka arsye për të humbur kohë dhe shpresoj të ndodhë brenda shtatorit, siç është paralajmëruar. Progresi duhet vlerësuar dhe shpresoj të jepet dritë jeshile edhe për Shqipërinë të hapë negociatat si kemi bërë për Serbinë dhe Malin e Zi”, tha Hahn.

Fokusi i vizitës së Hahn në Beograd ishte rifillimi i dialogut Serbi-Kosovë. Zyrtari i Brukselit shpreson që bisedimet për fazën e fundit të pajtimit mes dyja shteteve të rinisin në shtator, pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.