Johannes Hahn: Rekomandimi bazohet në plotësimin e kushteve

Hahn konfirmoi se rekomandimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është bazuar në plotësimin e kritereve nga të dyja vendet. Hahn tha se shpreson që këshilli të hapë dritën jeshile për të dy vendet.

Në një intervistë dhënë gazetares së ABC News në Bruksel, Erisa Zykaj, komisioneri Hahn konfirmoi se rekomandimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është bazuar në plotësimin e kritereve nga të dyja vendet. Hahn tha se shpreson që këshilli të hapë dritën jeshile për të dy vendet.

A është një rekomandim me gjysëm zemre që po prezantoni për Shqipërinë pas gjithë atyre që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në vend?

Hahn: Jo, rekomandimi ynë është një rekomandim me gjithë zemër për të dyja vendet, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vlerësimi ynë është që të dyja vendet kanë plotësuar kriteret mbi bazën e marrëveshjes të dakortësuar midis nesh dhe këtyre vendeve. Kur them nesh, i referohem të 28 vendeve anëtare me vendim unanim. Nuk është thjesht një marrëveshje bilaterale midis Komisionit dhe këtyre dy vendeve. Është një qëndrim solid ndaj pres një reagim pozitiv nga shtete anëtare.
Pse nuk ndërmjetësuat për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri siç e bëtë në Maqedoni?

Hahn: Disa herë mund të ndërmjetësosh në terren, disa herë përmes formash të tjera. Meqë ndodhemi para zgjedhjeve, nuk jam në terren që të përfshihem në fushata. Por siguroj qytetarët shqiptarë që jam në kontakt të ngushtë me aktorët kryesorë. Nuk është se jam gjithnjë i suksesshëm në këto aktivitete, por kurrë nuk do të heq dorë, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për qytetarët. Qëkur jam bërë gjysh, jam edhe më i angazhuar dhe i përfshirë në poçes. Unë mendoj tashmë për 40-50 vitet e ardhshme dhe perspektivën që i lëmë fëmijëve tanë. Fëmijët shqiptarë kanë të njëjtat të drejta që jo vetëm të kenë një jetë të denjë, por edhe një perspektivë në vendin e tyre, të rriten në paqe dhe prosperitet. Për këtë mundohem që të jap kontributin tim dhe nuk do ndal së bëri këtë.

Dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut ndoshta në qershor, por jo për Shqipërinë? Ky është skenari i Qershorit?

Hahn: Nuk kam plan B. Qëllimi im është që të dyja vendeve t’ju hapet drita jeshile, sepse të dyja vendet kanë mbushur kriteret. Sigurisht, që në rastin e Maqedonisë, çdo gjë shkëlqen, aq më tepër pas arritjes së marrëveshja e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Ndërkohë që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, por ato errësohen nga situata aktuale në vend. Pra, gjërat nuk janë shumë të lehta për Shqipërinë, por përpiqem që të përdor një qasje shumë racionale. E di që qytetarët në Ballkan nuk janë mësuar me qasje racionale, por kjo është mënyra ime për të kontribuar dhe besoj fort se në politikë duhet përdorur racionaliteti. Më shumë logjikë që të arrihet më shumë, raporton Tv Klan.

Ndoshta ju nuk i besoni shtypi shqiptar dhe kjo është e drejta juaj. Por ka patur një mbulim ndërkombëtar shumë të gjerë nga mediat gjermane, italiane, franceze, holandeze, greke që nxjerr në pah lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, rastet e korrupsionit dhe dhunimin e të drejtave themelore në vend. Cili është qëndrimi juaj për këtë dhe si mund ta mbroni ju Shqipërinë me këtë mbulim që i është bërë në mediat europiane?

Hahn: Së pari, pasi jam përkrahës i parimit të gotës gjysmë të mbushur dhe ndaj jam gjithnjë optimist dhe mendoj në fuqinë e transformimit të hapjes së negociatave si një nxitje e fortë për vendin. Por duhet të jemi të qartë. Shqipëria ka përmbushur kriteret për të cilat kemi rënë dakord me vendim unanim të 28 shteteve anëtare. Pra, ka një progres të madh kur bëhet fjalë për reformën e drejtësisë. Lidhur me procesin e Vettingut, 60 % e gjyqtarëve që kanë kaluar përmes procesit të rivlerësimit, nuk janë më në sistem. Kjo është një provë e një procesi të shëndoshë dhe procedurave solide. Sigurisht që transformimi merr kohë dhe kjo përfshin edhe në një farë mënyrë periudhën e riplanifikimit.

Gjyqtarët nuk mund të gjenden kaq lehtë, ata duhet të jenë të kualifikuar dhe të kalojnë përmes procesit të rivlerësimit. Por kjo tregon se sa solid është ky proces. Por sigurisht, ne nuk mund të injorojmë situatën në vend që është paraqitur qartë përmes ekraneve të televizioneve. Opozita nuk është më në Parlament dhe ka një mungesë dialogu midis palëve. Kjo është dhe arsyeja pse disa shtete anëtare kanë disa shqetësime, por mundohem që t’ju shpjegoj dhe të jap argumentimin tim, duke thënë që i kuptoj krejtësisht shqetësimet e tyre, por e njoh situatën në terren më mirë se ta. Dhe mendoj, që hapja e negociatave është nxitja më e mirë për të ndryshuar gjerat në vend për të mirë. Ne kemi nevojë për këtë stad integrimi, që të ndihmojmë zhvillimin e mëtejshëm të vendit, jo vetëm sepse qytetarët e Shqipërisë e meritojnë, por edhe se vetë ata e duan. /ABC News