Jetojeni jetën bashkë me fëmijën tuaj

Evans Drishti

Sapo mbërriti nga shkolla, si zakonisht lëshoi menjëherë çantën që mbante krahëve duke i dhënë një të hedhur tutje përtej divanit të dhomës së vet, ashtu siç ishte me veshjen e uniformës së shkollës iu drejtua kuzhinës për tu ulur me të shpejtë për të ngrënë drekën e rastit. As duart nuk i lante fare nga nxitimi që e mbërthente për të shuar urinë e ditës. Mamaja, edhe pse e shfaqte lodhjen dukshëm, tregohej indiferente ndaj të tilla reagimeve të të birit. I drejtonte vetëm një pyetje klasike: “Hë, si e kalove në shkollë?” megjithëse ishte e mirëvetëdijshme për përgjigjen sërish klasike që do merrte nga i biri: “S’ka më mirë!” Vallë të ishte vërtet kështu?

I ati s’dukej gjëkundi nëpër shtëpi deri në mbrëmje, edhe kur vinte s’ishte se preokupohej së tepërmi me telashet e fëmijës së vet. Mendonte se ia kishte lëshuar së shoqes tërë atë barrë të rëndë dhe pandehte se ishte lehtësuar nga gjithçka që kishte të bënte me edukimin dhe arsimimin e fëmijës.

Djaloshi me të mbaruar ngrënien kalonte menjëherë dhe mbyllej në dhomën e tij, prej së cilës vështirë të dilte për orë të tëra, aq sa harrohej se ishte apo jo në shtëpi. E ëma s’tentonte asnjëherë të futej në dhomën e të birit, jo me idenë se mos ta shqetësonte, por thjesht dukej se i bëhej pengesë lodhja e ditës. E sa për të atin, as që bëhej fjalë të dinte dhe të merrte vesh se ç’bëhej në atë botën e mistershme të të birit. S’kishin tjetër fëmijë, vetëm këtë.

Djaloshi vërtitej në atë botën e tij pa u ndjerë fare, e ndërkohë prindërit as që zoriteshin të interesoheshin për rritjen e tij, për ndryshimet e tij fiziologjike, për natyrën dhe karakterin e tij, për dëshirat dhe interesat që fshihte në shpirtin e tij të gjerë. Djaloshi rritej si pa u kuptuar, e ndërkohë vitet kalonin duke mos trazuar fare mendjet “e mpira” prindërore, që akoma s’e kishin kuptuar se “ishin bërë prindër”…

***

Çdo ditë ishin së bashku, që kur zgjoheshin, gjatë përgatitjeve për të shkollë, gjatë ngrënies së diçkaje mëngjesore, në përcjellje për një urim të sinqertë për një mbarëvajtje të një dite të re…

Dita kalonte mjaft këndshëm dhe bukur kur merrte edhe urimet dhe përkrahjen prindërore. Edhe pse mund të ishte një kohë e ngarkuar me mundim dhe emocion, sërish kthimi në gjirin dhe vatrën e familjes mbetej gjithnjë tejet i këndshëm pasi gjithçka rridhte në një ngrohtësi magjepsëse.

Çdo ditë ofronte një tjetër atmosferë të këndshme, ngrënie e përbashkët e drekës dhe e darkës, përgatitjet për lexime shkollore, lojrat dhe argëtimet e larmishme qofshin ato me mjete të ndryshme përdoruese qofshin edhe ato elektronike, momentet e ndjekjes së një programi të këndshëm në televizor apo edhe i ndonjë filmi tërheqës…

S’mungonin asnjëherë bashkëbisedimet jo vetëm për shkollën, përkundrazi, për dëshirat dhe pasionet, për rrugëtimin e jetës… Bashkëbisedohej për kulturën, për pikturën, për dokumentare të ndryshme, për evente sportive, për veshjet dhe aparencat, për gatime të larmishme dhe reçeta të praktikueshme, për psikologjinë dhe ndryshimet psikologjike që pëson njeriu dita – ditës…

Një gjë ishte mëse e sigurtë, në familje mbizotëronte një hare admiruese, pasi prindërit e kishin kuptuar me kohë domethënien e një “prindërimi të vërtetë”, e për rrjedhojë edhe fëmija dinte mjaft mirë detyrimet dhe obligimet përkatëse.

Përherë është gjykuar dhe komceptuar në mënyrë klasike se “prindërimi” ka të bëjë me përmbushjen e nevojave për ushqim dhe veshmbathje apo edhe të plotësimit të disa kërkesave energjente të kohës për fëmijët, por rrallë është menduar zhvillimi psikologjik dhe fiziologjik i fëmijës në proceset e rritjes së tij.

Në hapat e parë të jetës përkujdesja e prindërve ndaj fëmijës natyrshëm është më e dukshme edhe për shkak të “lumturisë” dhe “haresë” që sjell në familje.

Me hyrjen e fëmijës në shkollë interesimi i prindërve nis të dallgëzohet duke humbur ekuilibrin e duhur dhe duke sjellur disa luhatje të padëshirueshme në raportet përkatëse. në një pjesë të rasteve shihen “nënat” që janë të pranishme në zgjidhjen e problemeve të fëmijëve të tyre apo edhe në takimet në shkolla, në një pjesë të rasteve mund të shihen edhe “baballarët”, por janë të pakta ato raste kur shihen që të dy prindërit të interesohen në çdo moment dhe kohë për sfidat që kalon fëmija në procese të ndryshme edukative.

Konsulta psikologjike:

Në vendin tonë akoma nuk është arritur në atë nivel që të bëhen të frekuentueshme “konsultat psikologjike familjare”.

Në sfidat e sotme globale, ku njeriu “sforcohet” apo “konsumohet” së tepërmi në përballimin e një jetese sa më të shëndetshme, ndryshimet që pëson fëmija i lidhur ngushtësisht me zhvillimet e vrullshme të teknologjisë s’janë përherë në raport të drejtëpërdrejtë me “fuqinë prindërore” duke tejkaluar apo kapërcyer në të shumtën e rasteve edhe mundësitë fizike apo ideore që ofron prindi në plotësimin e kritereve të kohës.

Në të tilla kushte dhe rrethana prindërit e kanë për detyrë të suportojnë veten për t’u plotësuar vetë pikësëpari në njohjen e ritmeve të kohës në mënyrë që të jenë të gatshëm t’u japin përgjigje kërkesave që shfaq fëmija në procese të ndryshme.

Lexoni së bashku

Është krijuar një “kulturë e hershme” që vetëm kur fëmijët janë në “ciklin e ulët” prindërit marrin mundimin të shohin më nga afër librat shkollorë të fëmijëve të tyre, ndërkohë me të vijuar në ciklin e 9-vjeçares apo edhe të së mesmes kjo shifër e prindërve natyrshëm që bie ndjeshëm, pasi në konceptimin e tyre fëmija është “rritur” dhe “s’ka nevojë” për mbikqyrje.

Anashkalohet fakti se kur pirndërit i qëndrojnë më afër “leximit” bashkë me fëmijët e tyre arrijnë ta kuptoijnë akoma më qartë dhe më mirë “botëkuptimin” që krijon fëmija në procesin e rritjes dhe të edukimit.

Nëse prindërit do arrijnë të ndajnë një pjesë të kohës së tyre “një leximi të përbashkët” me fëmijët natyrshëm që do e kenë tepër më të lehtë orientimin që do u duhet t’u japin fëmijëve për fazat e mëtejshme të rritjes dhe zhvillimit të tyre.

Nëpërmjet një “komunikimi të zhvilluar” prindi e ka më të lehtë të përfshihet në botën e fëmijës së vet duke kuptuar:

– Pikëpamjet e tij

– Mënyrën si e koncepton të përditshmen

– Arsyetimet për fenomenet që sjell shkolla dhe jeta sociale

– Angazhimet që duhet të ndërmarrë në përfshirjen e tij në socializim

– Risitë që përfton në intelektualizimin e vet

Larg qëndrimit dhe reagimit kritik

Ka rezultuar përherë “dështuese” metoda e edukimit të fëmijëve “nëpërmjet kritikave”

Qëllon shpesh të dëgjosh prindër teksa u drejtohen fëmijëve të tyre me fraza të tilla si:

“Ti nuk di!”

“Ti nuk kupton!”

“Ti je dembel!”

“Ti nuk arsyeton!” etj etj…

Ndërkohë kanë harruar të gjykojnë faktin tjetër se ka qenë dhe mbetet detyrë e tyre t’u ofrojnë mundësitë e duhura fëmijëve që “të dinë”, “të kuptojnë”, “të aktivizohen” apo “të arsyetojnë”

Kur prindi të bashkëpunojë me fëminë e vet për të kuptuar psh:

“tekstin e një libri”, “mënyrën e rregullimit të shtëpisë”, “mënyrën e përgatitjes së një gatimi”, “metodat e një komunikimi të shëndetshëm dhe etik”, “mënyrën se si kryhet pazari”, “procedurat e rregullimit apo riparimit të një orendije” etj … natyrshëm që do kuptojë më së miri se intelekti i fëmijës në të shumtën e raste shkon edhe përtej intelektit të tij prindëror.

Për sa kohë që impenjimet si prindër nuk janë në raport të drejtë me angazhimet dhe detyrimet që duhet të kryejë fëmija pikësëpari në familje dhe më pas edhe në shoqëri përherë do haset në vështirësi krijimi i një “harmonie familjare” duke forcuar fatkeqësisht “imazhin” e një fëmije “pasiv” që qëndron përherë “në pritje” duke jetuar “në kurrizin” e të tjerëve.

Kultivoni tek fëmija dëshirën dhe pasionin për të punuar dhe për ta dashur jetën me të gjitha vështirësitë e saj, pasi vetëm kështu do arrini një orientim të shëndetshëm dhe do të krenoheni për çdo arritje të tij apo të saj.