Jens Stoltenberg: Rusia duhet të ndalë veprimet e pamenduara

Kreu i NATO-s nënvizoi se aktivitetet e Rusisë siç janë përdorimi i forcës kundër fqinjëve të saj, ndërhyrja në proceset zgjedhore dhe fushatat e keqinformimit shkelin të drejtën ndërkombëtare

 “Rusia duhet të ndalë veprimet e pamenduara”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në lidhje me sulmin kibernetik të shërbimeve inteligjente ruse ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një deklarate me shkrim gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s i cili vazhdon në Bruksel, Stoltenberg ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Përhershëm i Holandës në NATO, ka dhënë informacione rreth tentativës për sulme kibernetike ndaj OPCW dhe se sulmi është parandaluar nga Holanda dhe Britania e Madh.

Ai tha se Britania ka ndarë informacione se shërbimet inteligjente ruse janë përgjegjës për shumë sulme kibernetike. Stoltenberg thotë se këto sulme ndikojnë negativisht edhe ndaj qytetarëve por kanë gjithashtu edhe kosto të mëdha ekonomike.

Pasi ka vënë theksin se aleatët e NATO-a janë në solidarizim me qeveritë e Holandës dhe Britanisë, Stoltenberg shtoi se “Rusia duhet të ndalë veprimet e pamenduara”.

Kreu i NATO-s nënvizoi se aktivitetet e Rusisë siç janë përdorimi i forcës kundër fqinjëve të saj, ndërhyrja në proceset zgjedhore dhe fushatat e keqinformimit shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, NATO do të vazhdojë të rrisë fuqinë e saj të mbrojtjes dhe parandalimit kundër të gjitha kërcënimeve hibride, kryesisht në fushën e kibernetikës. Stoltenberg tha se në kuadër të kësaj janë me përparësi çështjet për formimin e Qendrës së Operacioneve Kibernetike dhe integrimin e aftësive kibernetike kombëtare.