Jens Stoltenberg: Pas finalizimit të marrëveshjes, Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s

Pasi që do të përfundojë dhe zbatohet, do të mund të ftojmë Maqedoninë me emrin e ri të saj që të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo jep një sinjal të fortë se dera e NATO-së është e hapur dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur", tha Stoltenberg

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se pasi që të përfundojë dhe zbatohet marrëveshja për emrin do të mund të ftojnë Maqedoninë me emrin e ri të saj që të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente shefi i NATO-s i ka bërë në një deklaratë për shtyp para Samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 11-12 korrik në Bruksel.

“(Në lidhje me çështjen e emrit) Pasi që do të përfundojë dhe zbatohet, do të mund të ftojmë Maqedoninë me emrin e ri të saj që të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo jep një sinjal të fortë se dera e NATO-së është e hapur dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu tha se është normale të ketë dallime mendimesh mes aleatëve dhe se pavarësisht dallimeve do të mund të arrijnë marrëveshje për çështjet e rëndësishme. “Amerika e Veriut dhe Evropa janë krah për krah. Për ta përforcuar aleancën tonë dhe për të mbrojtur qytetarët tanë do të nënshkruajmë marrëveshje të rëndësishme”, u shpreh ai.

Stoltenberg më tutje tha në ditën e parë të samitit do të diskutojnë shpenzimet e mbrojtjes dhe ndarjen e barrës.

Ai bëri të ditur se një ndër temat në ditën e parë të samitit është edhe lufta kundër terrorizmit. “Nesër do të marrim vendim që NATO të merr më shumë role në luftën kundër terrorizmit”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se në këtë drejtim do të fillojnë një mision të ri të trajnimit në Irak, me ç’rast synojnë parandalimin e rishfaqjes së organizatave terroriste si DEASH dhe të tjera të ngjashme

Stoltenberg gjithashtu njoftoi se do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në kuadër të së cilës do të diskutojnë bashkëpunimin NATO-BE, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, si dhe për Rusinë dhe gjendjen në Gadishullin Korean.

Ai tha se ditën e fundit të samitit liderët e NATO-s do të takohen me presidentët e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, respektivisht Giorgi Margvelashvili dhe Petro Poroshenko, ku do të përsëritet mbështetja e NATO-s ndaj këtyre vendeve.

Lideri i NATO-s njoftoi se samiti do të përfundojë me sesionin për Afganistanin, ku do të marrin pjesë edhe partnerët e Misionit Mbështetës.