Ja çfarë do të thotë cilësi në edukim dhe arsimim!…

Nga Evans Drishti

Një ceremoni magjiplotë e një klase të 5-të në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” para pak ditësh në përmbyllje të ciklit 5-vjeçar…

Bëhej fjalë për klasën e 5-c nën drejtimin e mësueses znj Aida Alibali, Hoxha.

  1. Talente – Një grup nxënësish djem dhe vajza që të përfshijnë jo vetëm vë botën magjike fëmijërore, por edhe në ëmbëlsinë dhe bukurinë që të ofron Arti i Fjalës.
  2. Spikatje – Me çiltërsinë, kthjelltësinë ideore dhe shpirtërore, urtësinë dhe maturinë godasin në çdo mesazh që përcjellin.
  3. Saktësi – Të ofronin një kënaqësi të paparë, teksa dëgjoje interpretime dhe korrektësi të paimagjinueshme në çdo fjalë dhe frazë që shqiptonin.
  4. Harmoni – Mëse të vetëdijshëm jo vetëm për atë çfarë kishin mësuar, por edhe për një koordinim tejet të plotësuar që reflektonte në çdo moment të shfaqjes.
  5. Shpirtdlirësi – Çdo emocion e përjetonin me pjekurinë që u jepte mosha e tyre, por ja që ato shpirtra të dlirë dhanë të kuptohej se përgatitja dhe maturia e tyre shkonte përtej brishtësisë që të jep mosha.
  6. Gjallëri – Ata nxënës të mrekullueshëm s’u paraqitën në skenë vetëm si interpretues të magjishëm, por i falën publikut një gjallëri që s’kishte si mos të të frymëzonte për të qenë përherë më optimistë.
  7. Finesë – Që në pikënisje të programit e deri në mbyllje s’kishte si të mos vihej re sjellja dhe maturia e atyre vogëlushëve, që përveç se një paraqitjeje plot hir dhe hijeshi rrezatonin edhe mirësitë e një edukate të admirueshme.
  8. Ëndërrim – Me insertin e prezantuar në lidhje me jetën e pasur sociale që kishin përcjellur për tërë vitet e shkollimit tregonin qartazi se kishin arritur të plotësonin ëndrrat e tyre të vegjëlsisë duke ndërtuar një diapazon të gjerë plot vizione të zjarrta për jetën.
  9. Mëndjendritur – Të saktë, të qartë, të kuptueshëm, korrektë, dinjitozë … u shfaqën atë natë ata nxënës të mrekullueshëm, teksa ndiqnin me rigorozitet ritmin e çdo interpretimi duke respektuar çdo detaj të një theksi dhe intonacioni të admirueshëm për të gjithë.  
  10. Koherentë dhe origjinalë – Ata na dhanë të kuptonim se ç’peshë mbart në të vërtetë dija e saktë dhe e mirëofruar. …

Është pak të shprehesh se mrekullohet njeriu nga një shfaqje e tillë… nga një kulturë e tillë… nga një diapazon vlerash shkencore, fetare e kulturore të qëndisura më aq përkushtim, profesionalizëm dhe energji të pashtershme, pikësëpari nga një mësuese drejtuese e tyre siç është në rastin konrekt z Aida Alibali, e më pas nga puna harmonike dhe frytdhënëse e një stafi ekspertësh.

S’është aspak befasuese të shohësh prindërit të mrekullohen nga rritja dhe pjekuria e fëmijëve të tyre, të cilët nuk dhuruan thjesht emocione të një çasti që sjell një mbremje e kësaj natyre, por bënë të ndjehen krenar familjarët dhe natyrshëm tërë stafin me zhvillimin e tyre të vrullshëm duke kuptuar më së miri vlerën dhe peshën e madhe që mbart një edukim dhe arsimim cilësor dhe produktiv.

Në të tilla raste bindemi akoma më shumë se secili prej atyre fëmijëve jo vetëm që është një vlerë më vete, por demonstron aftësi dhe pjekuri të niveleve të larta duke na bërë të kuptojmë se filizat e së ardhmes janë dhe duhet të jenë përherë në duar të sigurta… se vetëm një arsimim cilësor dhe dinjitoz mund ti përcjellë të sigurtë në hapat e mëtejshëm të arsimimit.

Mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë ata nxënës të mrekullueshëm dhe padyshim për të gjithë gjeneratën e tyre!…

Mirënjohje dhe respekt për punën plot përkushtim dhe profesionalizëm të mësueses së tyre dhe tërë stafit pedagogjik!…

Mirënjohje për Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” për këto vlera që u japin shoqërisë!…

Mirënjohje tërë prindërve që ndërtojnë me përpikmëri historinë e një jete plot dashuri, dije dhe kulturë!…  

Mirënjohje Shoqatës “Istanbul” për mbështetjen në arsimimin e mirëfilltë të brezave!…