Ivica Daçiç: Raporti serbë-shqiptarë, matës i suksesit të rajonit

Ivica Daçiç është i mendimit se raportet e mira mes Serbisë dhe Shqipërisë do të kontribuojnë për të mirën e tërë rajonit, por edhe anasjelltas

Raporti mes serbëve dhe shqiptarëve do të jetë matës i suksesit të tërë rajonit por edhe i Evropës në procesin e gjatë të pajtimit, deklaroi sot ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën ndërkombëtare “Serbët dhe shqiptarët: Cilës rrugë më tutje?” në Beograd, në sesionin e parë të titulluar “Sa njihemi mes vete? Çfarë na bashkon dhe çfarë na ndanë?”, ministri i Jashtëm serb tha se bëhet fjalë për një temë e cila është e një rëndësie thelbësore për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e dy popujve.

“Në kohën që jetojmë, por edhe në periudhën para nesh, marrëdhënia ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është, dhe do të jetë matës i suksesit të të gjithë rajonit , por do të thoja edhe Evropës në procesin e gjatë të pajtimit, tejkalimit të dallimeve ekzistuese dhe vendosjen e besimit reciprok”, tha Daçiç.

Ai shtoi më tej se serbët dhe shqiptarët e kanë patjetër të nxjerrin mësim nga zhvillimet historike, për të shtuar se Serbia është e përkushtuar drejt promovimit të paqes dhe stabilitetit për çka është e gatshme të bisedojë për të gjitha temat, meqë është e mendimit se popujt e rajonit kanë nevojë për paqe.

“Mendojmë se rruga e dialogut është një imperativ për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe konflikteve”, tha Daçiç, sipas të cilit, duhet gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Ai tha se Beogradi angazhohet për dialog me Prishtinën dhe se nuk është fare sekret se raportet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shtrënguara pikërisht nga shkaku i çështjes së Kosovës.

“Serbia është e interesuar për bashkëpunim me Shqipërinë në fushën e eurointegrimeve. Është shumë e natyrshme se dy shtetet përkrahin njëra tjetrën para anëtareve të BE-së”, tha Daçiç.

Ai u pyet për paralajmërimin e këshilltarëve shqiptarë të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës për mbajtjen e një seance ku do të merrej një qëndrim i përbashkët për dialogun Beograd-Prishtinë në Bruksel ku do të miratohej një deklaratë e cila do t’i dërgohej qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës.

“Do të reagojmë politikisht, nëse mendojnë se mund të provokojnë paqen dhe stabilitetin, gënjehen”, tha Daçiç.

Eurodeputeti Eduard Kukan, nga ana e tij tha se institucionet në Bruksel, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve i shohin në kontekst rajonal.

“Askush nuk ka dilemë se Serbia dhe Shqipëria janë faktorë të rëndësishëm në rajon, dhe ne i shohim ata si pjesë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, prandaj është e nevojshme që dy vendet të marrin pjesë në mënyrë aktive”, tha ai.

Kukan është i mendimit se raportet e mira mes Serbisë dhe Shqipërisë do të kontribuojnë për të mirën e tërë rajonit, por edhe anasjelltas.

Rigels Halili nga Qendra për Studim të Evropës Lindore të Universitetit në Varshavë, tha se Kosova, si një problem mes Serbisë dhe Kosovës, më shumë po bëhet problem brendashqiptar dhe brendaserb.

Ai nënvizoi rëndësinë që kanë politikanët për përmirësimin e raporteve të dy shteteve dhe popujve.

Piro Misha nga Instituti për Dijalog dhe Komunikim nga Tirana, në fjalimin e tij kërkoi përmirësimin e raporteve mes dy shteteve, jo vetëm si kërkesë e Brukselit, por nga domosdoshmëria e vetë shoqërive.

Në konferencën ndërkombëtare me adresimet e tyre morën pjesë edhe drejtoresha e agjencisë së lajmeve Tanjug, Branka Gjukiç dhe drejtoresha e agjencisë shqiptare të lajmeve ATA, Armela Krasniqi.