Italia dhe Spanja, shtetet më të goditura nga Covid-19 në Europë

Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, Gjermania ka patur një numër relativisht të ulët të vdekjeve.

Në Evropë, Italia vazhdon të jetë vendi më i goditur nga koronavirusi. Kryeministri i vendit njoftoi për masa për t’u ardhur në ndihmë personave me të ardhura të ulëta. Në Spanjë, vendi i dytë më i prekur i kontinentit, autoritetet thanë se epidemia po arrin kulmin, ndërsa në Francë, ditët e para të prillit do të jenë vendimtare.

Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, Gjermania duket se ka një numër relativisht të ulët të vdekjeve.

Kryeministri italian njoftoi se në kuadrin e programit për solidaritetin ndaj bashkive me një fond fillestar prej 4.8 miliardë dollarësh, bashkitë do të munden së shpejti të lëshojnë tollona për personat me të ardhura të ulëta dhe të varfërit që përballen me sfidën e izolimit të vendit dhe mbylljes së bizneseve dhe fabrikave. Shumë italianë kanë parë një rënie drastike të të ardhurave.

“Nëpërmjet urdhërave për Mbrojtjen Civile do t’i shtojmë këtij fondi për bashkitë edhe 400 milionë Euro. Do t’ua shpërndajmë këtë fond bashkive, por ato duhet ta përdorin për të mbështetur të varfërit që nuk blejnë dot ushqime. Fondi do të shpërndahet në të 8 mijë njësitë bashkiake, të cilat do të kenë mundësinë të shpërndajnë tollona”, tha Kryeministri italian Giuseppe Conte.

Kryeministri italian tha se nëse të dhënat do të tregojnë një rënie të intensitetit të koronavirusit, do të shqyrtohet hapja e shkollave më 13 prill, transmeton VoA.

Autoritetet e shëndetësisë në Spanjë, njoftuan se po afron pika kulmore e epidemisë. Ndërkohë spitalet spanjolle janë mbingarkuar tashmë mbi kapacitetin e tyre, ndërsa vazhdojnë të mbërrijnë pacientë të rinj.

Kryeministri francez Edouard Philippe tha se vendi nuk ka kaluar ende fazën më të keqe dhe se ditët e para të prillit do të jenë vendimtare.

“Duhet të përballemi të gjithë së bashku me këtë sfidë të madhe dhe të bëjmë përpjekje intensive që duhet të vazhdojë. Dua t’jua them qartë – lufta sapo ka filluar. 15 ditët e para të prillit do të jenë të vështira, edhe më të vështira se këto që kemi kaluar”, njoftoi kryeministri francez.

Franca njoftoi se ka porositur një milion maska, përgjithësisht nga Kina.

Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, Gjermania ka patur një numër relativisht të ulët të vdekjeve. Ekspertët besojnë se masat e rrepta, testimi masiv dhe sistemi i fortë i kujdesit shëndetësor kanë ndihmuar këtë vend. Gjermania ka mbyllur të gjitha shërbimet jothelbësore dhe takimet në publik të më shumë se dy personave deri më datën 20 prill.