Italia dhe Austria së bashku në mbrojtje të kufijve të jashtëm të BE-së

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka pritur në një takim pune në Romë homologun e tij ausrtriak Herbert Kickl dhe zëvëndës/kancelarin Heinz-Christian Strache.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka pritur në një takim pune në Romë homologun e tij ausrtriak Herbert Kickl dhe zëvëndës/kancelarin Heinz-Christian Strache.

Në një konferencë të përbashkët për mediat Ministri i Brendshëm italian u shpreh se “aktualisht jemi në një moment historik e si kurrë më parë Europa ka sot mundësinë për të ndryshuar e për t’u përmirësuar ndaj problematikës së emigracionit, luftës kundër terrorizmit, sigurisë e mbrojtjes së kufijve të jashtëm.”

Të dy Ministrat e Brendshëm Salvini e Kickl deklaruan se janë në dakortësi të plotë për të punuar, së bashku me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, në mbrojtje të kufijve të jashtëm e për të ndalur trafikantët.

Më datën 1 korrik, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian e Ministri italian u shpreh se “shpreson mjaft në këtë gjashtë mujor të ardhshëm të BE”.

Gjatë këtyre orëve, tha ai, po punohet për përfundimin e një relacioni të qeverisë italiane në reformimin e rregullave europiane mbi emigracionin, mbi mbrojtjen e sigurinë e qytetarëve italianë por dhe të gjithë atyre që nisen e rrezikojnë të vdesin në ujërat e Mesdheut.”

“Emigrimin në masë, jashtë kontrollli, u shpreh Matteo Salvini, dëmton para së gjithash ata pak refugjatë të vërtetë që largohen nga lufta”.

Për Ministrin e Brendshëm austriak, Herbert Kickl, “duhet një ndryshim radikal i mendimit, një kthesë kopernikane e sistemit të azilkërkuesve. Duhet të kthejmë besimin e njerëzve tek politika dhe tek Bashkimi Europian.”

Ndërsa për zëvendës/kancelarin austriak Heinz-Christian Strache, “në Europë është ndërtuar një sistem ku vendimet ndaj emigracionit janë marrë nga trafikantët. Sot, tha ai politikanët kanë për detyrë të riparojnë dëmet e për këtë duhet një aleancë e vullnetshme efektive për të luftuar kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjetit të trafikantëve.”