Italia dërgon ushtarë në mbështetje të YPG/PKK-së

 Ushtria italiane ka dërguar ushtarë në Dejrizor të Sirisë, në kufi me Irakun, pranë forcave amerikane dhe franceze për të mbështetur organizatën terroriste YPG/PKK.

Sipas informacioneve që AA ka marrë nga burime të sigurta në Dejrizor, mësohet se rreth 1 javë më parë ushtarët italianë kanë hyrë nëpërmjet Irakut në territoret nën pushtimin e YPG/PKK-së në veri të Sirisë.

Një numër i pakët i ushtarëve italianë që janë përfshirë në koalicionin ndërkombëtar kundër organizatës terroriste DEASH, fillimisht kaluan në Haseke dhe më pas në Dejrizor. Bëhet e ditur se ushtarët janë vendosur në bazën amerikane në fushën e naftës Omer në Dejrizor.

Aktualisht, forcat italiane, numri i saktë i të cilëve nuk dihet, ofrojnë mbështetje për ushtarët e SHBA-ve dhe Francës në operacionet kundër DEASH-it, raporton “Anadolu Agency”.

Ndër të tjera është mësuar se ushtarët italianë për momentin nuk do të marrin pjesë në konfliktet e drejtpërdrejta.

Organizata terroriste DEASH ka prani në dy rajone të ndryshme të ndara nga njëri-tjetri që kanë mbetur nën rrethim brenda qyteteve Haseke dhe Dejrizor në kufi me Irakun.

YPG/PKK në fillim të muajit maj me mbështetjen e SHBA-ve dhe Francës rinisi operacionin kundër elementëve të DEASH-it të pranishëm këtu. Theksohet se organizata nuk ka shënuar ende ndonjë përparim, dhe se DEASH-i jep kundërpërgjigje të fortë.

Faza e parë e operacionit të Dejrizorit nisi në shtatorin e shkuar, ku pjesa veriore e qendrës së qytetit u mor nën pushtimin e YPG/PKK-së e cila përdor emrin Forcat Demokratike të Sirisë (FDS).