Ish-liderja e Mianmarit Kyi dënohet me 4 vjet burg në rastin e parë kundër saj

Liderja e rrëzuar e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është dënuar me katër vjet burg në njërin prej rasteve kundër saj në të cilat ajo gjykohet për një sërë akuzash, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi në BBC, Suu Kyi është shpallur fajtore në rastin e parë gjyqësor, për akuzat “nxitje e popullit në rebelim dhe shkelje të rregullave kundër koronavirusit (COVID-19)”.

Suu Kyi, e cila mohoi të gjitha akuzat kundër saj, po gjykohet për 11 akuza të ndryshme.

Ish-liderja e Mianmarit është në arrest shtëpiak dhe ende nuk dihet nëse do të futet në burg.

Me katër vjet burg për të njëjtat akuza u dënua edhe ish-presidenti Win Myint.

– Puçi ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt 2021, pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 dhe tensioneve politike në vend.

Ushtria arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të partisë në pushtet, veçanërisht udhëheqësen de fakto të vendit dhe ministren e Jashtme Aung San Suu Kyi, duke shpallur po ashtu gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë kundër protestuesve që refuzuan grushtin e shtetit dhe grupeve rebele, 902 persona kanë humbur jetën dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.

Ndërkohë, sipas Organizatës për Ndihmë për të Burgosurit Politikë (AAPP), që nga grushti i shtetit në vend kanë humbur jetën 1.200 persona dhe janë ndaluar rreth 10 mijë të tjerë.

Paralelisht me demonstratat në shkallë të gjerë, në Mianmar vazhdon edhe gjyqi i zyrtarëve të lartë të qeverisë në gjykatat ushtarake.