Irani: Mekanizmi financiar me BE të përfshijë të gjithë artikujt tregtarë

"Mekanizmi financiar që do të krijohet me vendet e BE-së nuk duhet të kufizohet në sektorin farmaceutik dhe ushqimor por duhet të përfshijë të gjithë artikujt tregtarë", tha zëdhënësi i MPJ iraniane, Kasimi

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasimi tha se mekanizmi financiar që do të krijohet me vendet e Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të kufizohet në sektorin farmaceutik dhe ushqimor por duhet të përfshijë të gjithë artikujt tregtarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ai vuri në dukje se mekanizmi financiar privat që do të krijohet me BE nuk është projektuar që të jetë i kufizuar vetëm në produktet farmaceutike dhe ushqimore. Kasimi tha se ky kanal është krijuar për të lehtësuar tregtinë midis Iranit dhe BE-së dhe duhet të përfshijë të gjithë sektorët e tjerë të industrisë, investimeve dhe tregtisë.

“Ne nuk preferojmë të përdorim konceptet e fitores apo humbjes në Jemen”

Kasimi tha se e mirëpresin marrëveshjen e arritur në Suedi për çështjen e Jemenit. “Ne nuk preferojmë të përdorim konceptin e fitores apo humbjes në Jemen. Bisedimet e Stokholmit ishin të mira, ne dëshirojmë që kjo të jetë e dobishme për popullin e Jemenit”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për Iranin, Kasimi thotë: “Politika jonë ndaj Izraelit është e qartë dhe rezistenca do të zgjasë për aq kohë sa është i pranishëm pushtimi”.

Netanyahu javën e kaluar tha se ushtria izraelite tani është ushtria e vetme në botë që i kundërvihet forcave iraniane. “Politika jonë bazohet në ndalimin e gjërave të këqija kur ato janë në masë të vogël. Ne do të luftojmë drejtpërdrejt në Iran dhe Siri. Do të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur veten”, tha Netanyahu.