Investimi 2 miliardë në Portin e Durrësit/ Pritet të shndërrohet në një pikë turistike

“Një një dekadë supozohet që gjithçka të ketë mbaruar. Por faza e para pritet të nis shumë shpejtë brenda pranverës të 2021 dhe do të dorëzohet brenda 3 viteve”- tha Balluku.

Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, u shpreh se, “gjëja më e mirë që duhet bërë, nëse flasim që qyteti i Durrësit të jetë një qytet turistik dhe jo industrial, është që ky port të rialokohet në një pozicion tjetër, Sigurisht pa ndryshuar këtë destinacionin me kilometra të tëra, por në një zonë që i përgjigjet sipërfaqeve të kërkuara”.

Gjatë një interviste televizive, Balluku tha se, “një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit, por edhe të ndërtimit të marinave, e presim javën e ardhshme në Tiranë të nisim negociatat, me këtë kompani për të qartësuar të gjithë ecurinë e projektit. Deri më sot gjithçka është bazuar në një masterplan të mirëdetajuar”.

Balluku tha se, “është një marrëveshje që do të bëjë të mundur realizimin e një miniqyteti modern në zonën e Spitallës me mbi  2 mijë e 500 apartamente. Në konceptimin e projektit të ri ne kemi dizenjuar një zonë që lidhet me zonën e portit përmes një hekurudhe dhe është i vendosur në Spitallë”.

“Një një dekadë supozohet që gjithçka të ketë mbaruar. Por faza e para pritet të nis shumë shpejtë brenda pranverës të 2021 dhe do të dorëzohet brenda 3 viteve”- tha Balluku.

Porti tregtar do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, duke i dhënë kështu fund problemeve me ndotjen që ka patur deri më sot qyteti i Durrësit. Ministrja Balluku thotë se gara për dhënien me koncesion të shërbimeve portuale të portit të ri do të hapet së shpejti, ndërsa bëhet fjalë për një ndërtim me vlerë 500 milionë Euro, e cila do të investohet nga koncesionari.

Brenda 3 vjetësh, kohë e cila do të duhet për ndërtimin e portit të ri tregtar, të gjitha shërbimet do të vazhdojnë të mbeten në Durrës, e njëkohësisht do të nisë puna për shndërrimin e tij në një port turistik, por pa cënuar funksionin tregtar të tij.

Porti tregtar do të lidhet me zonën e Spitallës përmes një rrjeti hekurudhor, duke e kthyer në një zonë të zhvilluar ekonomike me shtim të punësimit për komunitetin që do të jetojë në 2500 banesat e reja, të cilat do të ndërtohen për të dëmtuarit nga tërmeti.

Belinda Balluku tregon se zhvillimi i këtij projekti është ambicioz dhe i menduar për t’u përshtatur me punën që do të ketë pas një dekade, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë blu e duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme për turizmin e jahteve dhe varkave.

Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë./ ATA