Irani do të rikthehet që të ketë një interesim diplomatik në Shqipëri. Përmes një seksioni interesash në ambasadën turke në Shqipëri, Teherani do të rinis kontaktin diplomatik me Shqipërinë.
Vendimi u mor gjatë një bisede telefonike të shtunën, mes ministrit të jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian dhe homologut të tij turk Mevlut Çavusoglu, ku mes të tjerash u biseduan për një sërë çështjesh dypalëshe dhe rajonale.
Amir-Abdollahian njoftoi se Ministria e Jashtme iraniane ka rënë dakord të hapë seksionin e interesave të Iranit përmes Turqisë në Shqipëri. Ai gjithashtu falënderoi Turqinë për ofertat e mira në këtë drejtim.
Një vendim i tillë vjen disa muaj pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria.
Tirana zyrtare vendosi të mbyllë ambasadën e Iranit në Shqipëri pas sulmit kibernetik që rrëzoi serverët e shtetit shqiptar dhe vodhi të dhënat nga institucionet. Një hetim ndërkombëtar i bërë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare provoi lidhjet mes hakerave që rrëzuan sistemet shqiptare dhe shtetit Iranian.