INSTAT zbulon pse udhëtojnë shqiptarët; Më shumë se gjysma janë vizita tek të afërmit e miqtë, pak për biznes

Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ndërsa për udhëtimet për qëllime biznesi të kryera në Shqipëri është shënuar rritja më e lartë.

Më shumë se gjysma e shqiptarëve (56%) kanë udhëtuar në vitin 2019 për të bërë vizita tek të afërmit apo miqtë. Vetëm 4.1% e tyre ishin udhëtime biznesi, ndonëse ato kishin rritjen më të lartë në 2019-n.

INSTAT ka publikuar karakteristikat kryesore të udhëtimeve të popullsisë banuese në Shqipëri.

Në vitin 2019, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi brenda vendit, të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 4.317.025. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 3,75 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 95,9% të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 4,1 % të tyre.

Përqëndrimi më i lartë i udhëtimeve Brenda vendit (personale dhe biznes), për vitin 2019 sipas muajit të nisjes janë regjistruar në muajt:

Gusht (13,4 %), Mars (11,1 %), Korrik (10,3 %) dhe Qershor (rreth 10 %).

Udhëtimet sipas qëllimit

Në vitin 2019, janë regjistruar 17,4 % më shumë udhëtime në Shqipëri, krahasuar me vitin 2018.

Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ndërsa për udhëtimet për qëllime biznesi të kryera në Shqipëri është shënuar rritja më e lartë.

Për Vizita te të afërm dhe miq janë bërë 56,1 % e udhëtimeve, për  Biznes

4,1%; për Pushime dhe kohë e lirë 34,0 % dhe  Të tjera 5,8 %.

Udhëtimet sipas destinacioneve

Përqindjet më të larta të udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi, në vitin 2019 janë regjistruar në qarqet:

-Tiranë        35,3

-Korçë         15,2

-Vlorë          14,4

-Durrës        12,8

Në vijim janë paraqitur përqindjet e udhëtimeve për qëllime personale dhe biznesi në qarqet e Shqipërisë.

Format e rezervimit

Në rezervimet e kryera nëpërmjet agjensive të udhëtimit apo operatorëve turistik, vihet re se: për rezervimet mbi llojin e transportit përqindjet më të larta regjistrohen për udhëtimet të cilat kanë si destinacion qarqet Tiranë (19,8 %) dhe Vlorë (31,1 %).

Ndërsa përqindjet më të larta të rezervimeve mbi format e akomodimit paraqiten në

udhëtimet që kanë si destinacion Korçën (20,1 %) dhe Vlorën (38,8 %).

 

Vendi i origjinës së udhëtimeve

23,4 % e udhëtimeve si vend origjinë kanë qarkun e Tiranës, 12,2% qarkun e Korçës, 11,4% qarkun e Durrësit dhe 10,6 % qarkun e Elbasanit.

48,6 % e udhëtarëve ishin meshkuj dhe 51,4 % e udhëtarëve ishin femra.

Më shumë udhëton grupmosha 24-35 vjeç, me 20.4% të totalit.

 

Vizitorët e huaj në Shqipëri

Në vitin 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë afërsisht 6,4 milionë persona. Gjatë vitit 2019, hyrjet e shtetasve të huaj janë 8,1 % më shumë se viti 2018.

Gjatë vitit 2019, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 90,1 % duke u rritur me 8,3 %, krahasuar me një vit më pare.

Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga këto shtete: Kosova (35 %). Maqedonia e veriut (12 %), Greqia (9 %), Italia (7 %) dhe Mali i Zi (6 %).

Rrugët hyrëse

Në vitin 2019, me rrugë ajrore kanë mbërritur afërsisht 800 mijë shtetas të huaj, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tone nëpërmjet linjave ajrore zënë mesatarisht 12,2 % të hyrjeve gjithsej.

Në vitin 2019, numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri me linjat detare ka qënë afërsisht 470 mijë duke u rritur me 6,6 %, krahasuar me një vit më parë. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave detare zënë mesatarisht 7,3 % të hyrjeve gjithsej.

Në vitin 2019, numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në vendin tonë nëpërmjet tokës ka qenë afërsisht 5,2 milionë, duke u rritur me 7,5 %, krahasuar me një vit më parë. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet tokës zënë pjesën më të madhe me 80,5 % të hyrjeve gjithsej gjatë vitit 2019.

Vizitorë me netë qëndrimi

Në vitin 2019, numri i vizitorëve të huaj me netë qëndrimi (ku përfshihen vizitorët që qëndrojnë të paktën një natë në hotel apo në struktura akomoduese të tjera, tek të afërmit, shtëpitë e tyre, etj) është rreth 5,9 milionë duke u rritur me 15,1 % krahasuar me një vit më parë. Ndërsa numri i vizitorëve ditorë është rreth 280 mijë.

Hyrjet e shtetasve të huaj sipas qëllimit

Në vitin 2019, hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale (pushime, vizitë në të afërm, trajtim shëndetësor, qëllime fetare etj) zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj, mesatarisht 98,4 %. Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur me 8,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa hyrjet për qëllime biznesi zënë 1,6 % të hyrjeve gjithsej, duke u rritur 16,1 %, krahasuar me një vit më parë. /Monitor