INSTAT fillon testin për numërimin e popullsisë
Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar fillimin e fazës Pilot për Censin e Popullsisë dhe Banesave! “Faza Pilot e Censit do të bëhet në kuadër të përgatitjeve për aktivitetin madhor të numërimit të popullsisë rezidente dhe banesave, i cili do të kryhet në vitin 2022 dhe ka afat 10-vjeçar. Censi është ushtrimi më kompleks dhe…

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar fillimin e fazës Pilot për Censin e Popullsisë dhe Banesave! “Faza Pilot e Censit do të bëhet në kuadër të përgatitjeve për aktivitetin madhor të numërimit të popullsisë rezidente dhe banesave, i cili do të kryhet në vitin 2022 dhe ka afat 10-vjeçar.
Censi është ushtrimi më kompleks dhe masiv që ndërmerr një zyrë statistikore. Ai është një projekt thelbësor për krijimin e një sistemi statistikor të qëndrueshëm dhe efikas dhe për hartimin e politikave të bazuar në statistika. Është pikënisja për përcaktimin e strategjive socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal”, tha Drejtoresha e INSTAT, znj. Elsa Dhuli, në një konferencë ku njoftoi fillimit e Pilotit të Censit të Popullsisë dhe Banesave.
INSTAT, në periudhën 4 tetor deri më 15 nëntor 2021, do të zhvillojë fazën Pilot për Censin e Popullsisë dhe Banesave. Piloti i Censit është një test gjithëpërfshirës. Ai do të testojë përshtatshmërinë e të gjithë procedurave të Censit. Qëllimi kryesor i Censit Pilot është të provojë në kushte reale hartografinë, metodologjinë, strukturën organizative, sistemin e mbledhjes së të dhënave me tablet, planifikimin logjistik dhe ndërveprimin midis të gjitha burimeve të planifikuara për t’u angazhuar në vetë numerimin aktual.
Zonat ku do të zhvillohet Piloti janë me diversitet të lartë: Zona urbane dhe rurale; me kushte të ndryshme socio-ekonomike, me përbërje popullsie minoritare dhe në zona kodrinore dhe malore. Konkretisht janë përzgjedhur 50 Zona Censi në 9 bashki të vendit: Fushë-Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull. Rezultatet e Censit Pilot do të analizohen me kujdes nga INSTAT për të marrë masa për kryerjen me sukses të Censit të Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave në vitin 2022.
Risitë e Censit 2022:
- Përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren;
- Modernizimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) – mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave;
- Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.