Inflacioni në Eurozonë arrin në 3%, niveli më i lartë në një dekadë

Rritet presioni mbi BQE-në për të ngadalësuar programin e blerjes së bonove ndërsa ekonomia e rajonit rimëkëmbet.

Inflacioni në Eurozonë ka arritur nivelin më të lartë në gati një dekadë, duke rritur kështu edhe presionin ndaj Bankës Qendrore Europiane për të ngadalësuar ritmin e blerjeve të obligacioneve.

Në gusht, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në Eurozonë u rrit në 3 për qind nga 2.2 për qind në korrik. Rritja tejkaloi pritshmëritë e shumicës së ekonomistëve. Normat më të larta të inflacionit në nivelin 4.5 deri në 5 për qind u vunë re në Estoni, Lituani dhe Belgjikë. Vetëm katër vende të Eurozonës tani kanë inflacion nën nivelin 2 për qind, nga 16 vende në mars.

Rritjet e çmimeve u nxitën nga rimëkëmbja ekonomike pas ndikimit të pandemisë, si dhe nga kostot më të larta të energjisë dhe pengesat në zinxhirët e furnizimit. Të martën, gazeta gjermane Bild kritikoi “tronditjen e re të inflacionit”, pasi shkalla e inflacionit në vend arriti një nivel të lartë 13-vjeçar.

Vitin e kaluar, çmimet e energjisë janë rritur me 15.4 për qind, çmimet e alkoolit dhe duhanit janë rritur me 2 për qind dhe çmimet e mallrave industriale janë rritur me 2.7 për qind. Inflacioni bazë, duke përjashtuar çmimet më të paqëndrueshme të energjisë, ushqimit, alkoolit dhe duhanit, u dyfishua në 1.6 për qind, niveli më i lartë që nga viti 2012.

Shumica e ekonomistëve presin që inflacioni të ulet përsëri vitin e ardhshëm, pasi të zbehet ndikimi i faktorëve të përkohshëm. BQE pritet të nisë një ngadalësim të blerjes së bonove nën programin e saj të blerjes në periudhën urgjente pandemike, me vlerë 1.85 trilionë euro.

“Efektet e problemeve me rihapjen dhe furnizimin mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm”, tha Jack Allen-Reynolds, një ekonomist në Capital Economics.

“Por ne dyshojmë se ata do të fillojnë të veniten vitin e ardhshëm pasi modelet e konsumit dhe tregtisë globale të kthehen në normat e tyre para-pandemike, dhe prodhuesit të jenë në gjendje të rrisin prodhimin”.

Allen-Reynolds parashikoi se norma kryesore e inflacionit në Eurozonë do të bjerë në rreth 2 për qind në janar dhe do të vazhdojë të bjerë deri në fund të vitit të ardhshëm në rreth 1 për qind.

Investitorët duken relativisht të gatshëm për rritjen e inflacionit, i cili zakonisht konsiderohet si një lajm i keq për çmimet e bonove. Yield-et e bonove rriten me rënien e çmimeve. Inflacioni po rritet në shumë vende ndërsa ekonomia botërore rimëkëmbet nga ndikimi i pandemisë, duke rritur presionin mbi bankat qendrore për të hequr stimulin monetar që nisën vitin e kaluar.

Në SHBA, ku inflacioni është më shumë se 5 për qind, kryetari i Rezervës Federale Jay Powell tha javën e kaluar se do të fillonte të pakësonte blerjet e aseteve këtë vit. Banka Qendrore e ngriti paksa objektivin e inflacionit në 2 për qind dhe tha se ndërsa ishte e përgatitur të toleronte çdo tejkalim të moderuar dhe kalimtar, do të ruante një politikë “të fortë dhe këmbëngulëse” për ta mbajtur atë nën kontroll.

Salomon Fiedler, një ekonomist në Berenberg, parashikoi se BQE-ja do të rriste parashikimet e inflacionit dhe rritjes ekonomike të enjten e ardhshme.

“Kjo mund të jetë baza për të zvogëluar ritmin e blerjeve të bonove sipas programit të blerjes në periudhën e urgjencës pandemike”, tha ai. /monitor