Sipas të dhënave që kanë publikuar Shoqata e Distributorëve të Automobilave (ODD) dhe Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) industria turke e automobilave në periudhën janar-shtator të këtij viti ka bërë eksporte me vlerë 23 miliardë e 414 milionë e 752 mijë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017-s.
Në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, shifra e eksportit në fjalë ishte 20 miliardë e 766 milionë e 754 mijë dollarë. Kjo tregon se brenda një viti sektori i ka rritur me 12,8 për qind eksportet.
Nga ana tjetër, vëllimi i eksportit të sektorit për periudhën janar-shtator, që sivjet është realizuar mbi 23 miliardë dollarë, është regjistruar si shifra më e lartë e eksportit 9-mujor të të gjitha kohërave. Gjithashtu sektori vazhdoi të ruajë edhe pjesën e tij të mëparshme, 1/5 e eksportit të Turqisë, 123,1 miliardë dollarë.
Në periudhën janar-shtator të këtij viti eksportet e industrisë së automobilave në vendet evropiane u rritën me 13,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe u realizuan në 18 miliardë e 764 milionë e 671 mijë dollarë.
Kështu, 80 për qind e eksporteve të sektorit prej 23,4 miliardë dollarë në gjysmën e parë u bënë në vendet evropiane. Kjo tregon se 4 nga 5 produkte të industrisë së automobilave u eksportuan në vendet e Evropës.
Grupet e vendeve të tjera pas atyre evropiane tek të cilat industria turke e automobilave ka realizuar më shumë eksporte në të njëjtën periudhë janë vendet e Lindjes së Mesme me 1 miliard e 104 milionë e 237 mijë dollarë dhe vendet afrikane me 1 miliard e 72 milionë e 425 mijë dollarë.
Po të shikojmë vendet, ku janë eksportuar më shumë produkte të industrisë automobilistike në muajin e 9-të të vitit (shtator 2018) vëmë re se në krye të listës qëndrojnë sërish vendet evropiane.
Tregu më i madh i industrisë për periudhën janar-shtator ishte Gjermania, ku eksportet turke u realizuan me 3 miliardë e 571 milionë e 936 mijë dollarë. Gjermania u ndoq përkatësisht nga: Italia me 2 miliardë e 558 milionë e 954 mijë dollarë; Franca me 2 miliardë e 435 milionë e 937 mijë dollarë, Anglia me 2 miliardë e 216 milionë e 67 mijë dollarë; Spanja me 1 miliard e 347 milionë e 468 mijë dollarë dhe Belgjika me 1 miliard e 45 milionë e 280 mijë dollarë.
Gjermania, Italia, Franca, Anglia, Spanja dhe Belgjika u renditën si vendet që importuan më shumë se 1 miliard dollarë produkte të industrisë turke të automobilave muajin e kaluar (shtator 2018).