Me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë, sot në Ankara u bë hapja e selisë së re të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (MIT) së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për të arriturat e inteligjencës turke në ceremoninë e inaugurimit, presidenti turk Erdoğan tha se që prej fillimit të krizës siriane, MIT ka luajtur një rol të madh në suksesin e operacioneve ndërkufitare të vendit.
Që nga viti 2016, Turqia zhvilloi tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë, për të parandaluar formimin e një korridori terrorist.
“Me punët e suksesshme të MIT-it, Turqia është në gjendje të veprojë kudo në botë pa pasur nevojë për ndihmën e asnjë vendi”, theksoi Erodoğan.
Erdoğan po ashtu tha se roli i MIT-it në zgjidhjen e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi ishte i jashtëzakonshëm dhe e bëri vendin krenar në nivel ndërkombëtar.
Khashoggi, kontribues në gazetën The Washington Post, u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018, në një operacion të mohuar dhe mbuluar nga autoritetet saudite, sipas hetimeve ndërkombëtare.
Duke folur për konfliktin në Libi, presidenti turk tha se “MIT po përmbush denjësisht detyrat në Libi”.
Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Khalifa Haftar, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.
Parlamenti i Turqisë javën e kaluar miratoi një mocion që lejon vendosjen e trupave në Libi për një vit në mënyrë që t’i përgjigjet kërcënimeve nga grupe të paligjshme të armatosura dhe grupe të tjera terroriste që synojnë interesat kombëtare të të dy vendeve.
Mocioni gjithashtu synon të garantojë sigurinë në Libi përballë çdo migracioni të mundshëm masiv dhe t’u sigurojë libianëve ndihmë humanitare.